Kafshimi i Vampirit, trashëgimia e Millosheviçit mbi Kosovën dhe Ballkanin

Nga Michael L. Giffoni

Në Ballkan shpesh thuhet se “gjithçka nisi në Kosovë dhe gjithçka do të mbarojë atje”, që do të thotë se kanceri i nacionalizmit që shkatërroi Jugosllavinë filloi pikërisht atje dhe se konfliktet jugosllave kishin filluar në Kosovë dhe do të mbaronin atje. Tri dekada pas nisjes së atyre konflikteve është ende e vështirë të thuash që proceset që ata ndërsyen,  kanë përfunduar. Megjithatë,  është sigurisht e mundur të thuhet se ngritja dhe rënia e Sllobodan Millosheviçit, aktorit kryesor të asaj skene tragjike në vitet ‘90, kanë qenë të lidhura në mënyrë rigoroze me fatin e vetë Kosovës. Është e mundur të shtohet se edhe pas rënies së tij, e cila ndodhi njëzet vjet më parë  dhe vdekjes së tij (në mars 2006), pesha e fjalëve dhe veprimeve të tij mbi një pyetje kaq të ndërlikuar ka qenë e konsiderueshme, duke ushtruar një ndikim, vendimtar sa edhe  negativ, nga i cili të gjithë aktorët e tjerë ende e kanë të vështirë të çlirohen.

Ndodhi në Kosovë që një zyrtar i zellshëm, por ende jo i spikatur i Partisë Komuniste Serbe filloi ngritjen e tij të rezistueshme në pushtet, duke luajtur me pakënaqësinë e serbëve të Kosovës dhe duke zgjuar ndjenjat nacionaliste midis serbëve në të gjithë Federatën Jugosllave. Më 24 Prill 1987, jashtë një ndërtese në Fushë Kosovë (në periferi të Prishtinës) ku Sllobodan Millosheviçi  po takohej me zyrtarë lokalë të partisë (kryesisht shqiptarë), shumë demonstrues serbë u përplasën me policinë (gjithashtu kryesisht shqiptare). Millosheviçi doli jashtë: “Askush nuk duhet të guxojë t’ju kafshojë”, iu përgjigj ai. “Kjo fjali e kurorëzoi si një car”, thoshte një nga organizatorët e protestës. Në të vërtetë, gjatë dy viteve të ardhshme, Millosheviç do të dilte si udhëheqësi i padiskutueshëm i Serbisë.

Po në Kosovë  Jugosllavia nisi zbritjen e saj rezistente  në luftë dhe shpërbërjen,  kur më 28 qershor 1989 Millosheviçi (i cili kishte marrë presidencën e Serbisë disa javë më parë) iu drejtua me një fjalim plot siguri  më shumë se një milion serbëve të mbledhur përsëri në Fushë Kosovë, në fushën e betejës në Gazimestan (“Fusha e Mëllenjave”), një fushë e gjelbër ku 600 vjet më parë Princi serb Lazar u pozicionua kundër sulltanit osman Murad që përparonte dhe, u mposht  ngushtë në një betejë të kënduar epikisht si një qëndrim heroik për të mbrojtur Krishterimin  nga Islami. Millosheviçi e evokoi ngjarjen për të pohuar pretendimet morale dhe historike të Serbisë ndaj Kosovës, si “djep” i kombit serb, mbi ato të popullsisë së saj me shumicë shqiptare, të drejtat politike dhe civile të të cilave regjimi i tij sapo i kishte shtypur brutalisht, duke shfuqizuar autonominë e krahinës dhe duke paralajmëruar ambicien e hakmarrjes etnike dhe dominimit që së shpejti do të çonte në luftërat në Slloveni (1991), Kroaci (1991-95) dhe Bosnjë (1992-95).

Ishte për Kosovën  që NATO shkoi në luftë për herë të parë, një dekadë më vonë, me një fushatë bombardimesh ajrore që në qershor 1999 i dhanë fund shtypjes vdekjeprurëse të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës të ndjekur nga regjimi i Millosheviçit dhe që, u vlerësua si ndërhyrja e parë ushtarake humanitare e bazuar mbi një doktrinë,  përmes së cilës mbrojtja e të drejtave të njeriut mund ta tejkalojë sovranitetin. Në çdo rast, ajo ishte ndërmarrë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për shkak të kundërshtimit të Rusisë (dhe Kinës): fundi i saj u shoqërua nga një Rezolutë ‘1244’ të Këshillit të Sigurimit së OKB-së, që njohu Kosovën si pjesë të Jugosllavisë por e vuri nën administrim të përkohshëm nga OKB, në funksion të bisedimeve të reja midis palëve për të përcaktuar statusin përfundimtar. Humbja e Serbisë nuk provokoi menjëherë fundin e regjimit të Millosheviçit, i cili e zvarriti veten për muaj me radhë në një atmosferë të errët që i ngjan ditëve të fundit,  në kështjellën e Makbethit.

Rënia e Millosheviçit shpesh artikulohet  në Serbi thjesht si “5 tetor”, nga data që ndodhi (në 2000) dhe shumë i referohen si  “para”,  ose “pas” 5 tetorit: pritjet ishin të mëdha pasi Serbia kishte arritur një fazë kritike të historisë së saj, duke u bërë një rast serioz i shportës ekonomike dhe thuajse “përçmim  ndërkombëtar”. Fakti është se udhëheqja e re serbe ishte jashtëzakonisht e fragmentuar dhe e përbërë nga shumë udhëheqës që nuk kishin shumë gjëra të përbashkëta, përveç ruajtjes së kundërshtimit të tyre ndaj Millosheviçit. Që nga fillimi ata duhet të merreshin vazhdimisht, në një mënyrë apo në një tjetër, me trashëgiminë e viteve të Millosheviçit, të cilat përfshinin se si të përballeshin me presionet nga bashkësia ndërkombëtare për të bashkëpunuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish -Jugosllavinë (ICTY), si të reformimin e sistemit ekonomik, shoqëror dhe të sigurisë, çfarë të bënin  me Malin e Zi dhe çfarë me Kosovën. Në të gjitha këto pyetje presidenti i ri, Vojislav Koshtunica dhe kryeministri i ri, Zoran Gjingjiç, nuk u pajtuan, me pikëpamje mjaft të kundërta: një “luftë e ftohtë” midis tyre shënoi të gjithë periudhën e “bashkëjetesës”, deri në vrasjen e të fundit, më 12 mars 2003.

Koshtunica ishte një konservator, jo imun nga një qasje nacionaliste, para së gjithash kundrejt çështjes së Kosovës; Gjingjiç u përpoq të paraqiste politika progresive me një qasje më pragmatike, edhe për çështjen e Kosovës, por përpjekjet e tij reformuese u frustruan nga bojkotimi i një pjese të makinerisë shtetërore, para së gjithash sistemi i sigurisë, ende i përbërë kryesisht nga mbetjet e regjimit të Millosheviçit. Zarko Korac, zv.kryeministri në qeverinë Gjingjiç, vuri ashpër në dukje se ndërsa Millosheviçi vdiq politikisht, ai vazhdoi të “thithte gjakun tonë si një vampir”. Koshtunica ishte në gjendje të impononte pozicionet e tij dogmatike, shpesh të ngjashme me argumentet e përdorura nga Millosheviçi, për delegacionin serb në negociatat e shumëpritura që filluan në fund të 2005-s  dhe zgjatën për dy vjet, ndërmjetësuar në fillim nga Martti Ahtisaari – ish presidenti finlandez, të cilit u dha Çmimin Nobel për Paqen më 2008 – dhe më vonë nga një trojkë ShBA- BE- Rusi.

Bisedimet dështuan sepse Serbia, e mbështetur fuqimisht nga Rusia (shumë më agresive se më parë, veçanërisht pas “fjalimit të Mynihut” të Vladimir Putinit në shkurt 2007), këmbënguli në të drejtat sovrane dhe i ofroi Kosovës vetëm një “shkallë të lartë autoriteti” (asnjëherë duke specifikuar se çfarë në terma konkretë), ndërsa shqiptarët e Kosovës, të mbështetur kryesisht nga Uashingtoni, do të pranonin “asgjë më pak se pavarësinë”. Ishte përplasja e dy vizioneve nacionaliste, të dyja bazuar në një kërkim për sovranitet absolut mbi subjektet dhe jo për dialog për një bashkëjetesë paqësore të komuniteteve. Gjatë bisedimeve në Vjenë, ndërsa Boris Tadiç (i cili pasoi Gjingjiçin si udhëheqës i partisë DS, u zgjodh president më 2004 dhe u rizgjodh më 2008) u vlerësua për qasjen e tij më konstruktive (që gjithsesi nuk e lejoi atë të kapërcente “mantrën” e sovranitetit), Koshtunica miratoi një qëndrim të tillë pengues saqë Ahtisaari u soll për të thënë se ai “e kishte shumë të vështirë të punonte me të – madje edhe më shumë se me  Millosheviçin ”. Kam marrë pjesë në shumë seanca të bisedimeve, për palën e BE-së dhe kisha përshtypjen se vampiri i përmendur nga Korac po varej në dhomë, duke pëshpëritur gjuhën e vjetër të konfrontimit etnik.

Disa ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), qeveria thirri një tubim në Beograd, në të cilin erdhën 200 mijë njerëz. Në gjuhë që e kujtonte hapur Millosheviçin, Koshtunica i tha turmës: “Kosova është Serbi. Nuk ka forcë, asnjë kërcënim dhe asnjë ndëshkim të madh apo të fshehur mjaftueshëm për asnjë serb, në çdo kohë që të thotë diçka ndryshe, veçse Kosova është Serbi”. Në skenën politike, bashkëjetesa midis partive të Tadiç dhe Koshtunicës u shpërbë: ndryshimet e tyre filozofike mbi të ardhmen e vendit dhe mënyrën e reagimit ndaj pavarësisë së Kosovës u bënë të padurueshme. Tadiç argumentoi se mënyra më e mirë për të vazhduar Betejën e Kosovës ishte të ndiqte rrugën e integrimit europian, i cili tha ai ishte gjithashtu në interesin më të mirë të Serbisë. Në të kundërt, Koshtunica vështroi drejt Rusisë për të forcuar aleancën me Moskën edhe më shumë, duke shtuar gjithashtu se Serbia duhet të braktisë ambiciet e saj për t’u bashkuar me BE që “nuk kishte qenë në gjendje të bënte një zgjedhje të qartë midis Serbisë ose Kosovës”.

Zgjedhjet e majit 2008 u fituan nga koalicioni pro-BE i Tadiç dhe Koshtunica u dërgua përfundimisht në margjinat  e politikës. Në dekadën vijuese, në çdo rast, lidershipi serb (dhe, si qëndrim reflektues,  ai kosovar) nuk ishin në gjendje të përcaktojnë një politikë më realiste dhe më pak dogmatike ndaj çështjes së Kosovës, duke irrituar gjithashtu “dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës”  të nisur më 2011-n  me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton që kishte pasur rezultate premtuese në debutimin e saj, por rezultoi në një seri të gjatë marrëveshjesh (njëra prej tyre u shpall “historike”, në Bruksel në prill 2013), që nuk u zbatuan kurrë në terren.

Në fund të vitit 2008, një parti e re (SNS) u themelua pas një ndarjeje  nga Partia ultranacionaliste Radikale dhe një nga udhëheqësit e saj, Aleksandar Vuçiç, filloi një tjetër ngritje rezistente  në pushtet që në një dekadë e ka parë atë dhe partinë e tij praktikisht të monopolizojnë politikën serbe e të mënjanojë të gjithë opozitën. Vuçiç shërbeu si ministër  i Informacionit të  Millosheviçit nga 1998 në 2000 dhe për këtë arsye është shumë i njohur me manipulimin nacionalist të mitit të Kosovës që Millosheviç, përmes propagandës dhe dezinformimit, përdori për të arritur objektivin e tij kryesor politik, i cili ishte thjesht për të marrë pushtetin absolut dhe për të mbajtur atë.

Në të njëjtën kohë, skena politike në Prishtinë pas pavarësisë është dominuar krejtësisht nga udhëheqës të farkëtuar  në luftën nacionalçlirimtare: gjuha e Millosheviçit dhe trashëgimia e tij  kanë ndikuar fuqimisht tek ata, natyrisht “anasjelltas”, me mbizotërimin e një natyre dhe qasjeje të lehtë,  të bazuar në nacionalizmin paralel dhe konfrontues.

Çështja e sovranitetit ndoshta do të mbetet kocka themelore e grindjeve për të ardhmen e parashikueshme dhe do të komplikojë në mënyrë të pashmangshme përpjekjet e Serbisë dhe Kosovës për ta bërë konkrete perspektivën e tyre europiane. Për më tepër, me një ndarje kaq të thellë mbi çështjen e Kosovës brenda bashkësisë ndërkombëtare, madje edhe midis shteteve anëtare të BE-së, ajo do të mbetet një nga pengesat më të rrezikshme për stabilitetin  dhe përparimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Është e mundur të dilet në përfundim  se, të paktën psikologjikisht, një situatë e tillë kritike është për shkak të trashëgimisë së Millosheviçit. Për të, “fjalimi i Fushë Kosovës” ishte mundësia për të filluar një fushatë urrejtjeje dhe konfrontimi (në vend të bashkëjetesës dhe dialogut) që askush nuk ishte në gjendje ta ndalonte. Të njëjtat metoda u përdorën më vonë nga të gjithë politikanët e tjerë në rajon,  që e vunë në punë  nacionalizmin për të krijuar botën e “ne” dhe “ata”  dhe për të bashkuar komunitetet e tyre në frikë dhe urrejtje. “Ne” si viktima të përhershme, dhe “ata” si horra të përhershëm. Gjuha e urrejtjes u bë një gjuhë që shumë e  flasin edhe sot në Ballkan dhe mbetet trashëgimia më e madhe e Millosheviçit. Sllobodan Millosheviç ka vdekur dhe është zhdukur tani, por duket se vampiri qëndron ende  varur për Kosovën dhe Ballkanin, duke kafshuar dhe infektuar të gjithë me virusin vdekjeprurës të nacionalizmit. Na pëlqen të mendojmë se kafshë të tjera ikona ballkanike, të tilla si shqiponjat shqiptare dhe ato serbe, së shpejti do të arrijnë të mos e vrasin,  por të paktën ta bëjnë të padëmshëm.

* Michael L. Giffoni, ish-ambasador i Italisë në Kosovë.(SI)

SHKARKO APP