Kamerat nxjerrin vrasësit e liderit serb

Kamerat e sigurisë raportohet se kanë kapur të gjithë skenën e vrasjes së Oliver Ivanoviç. Sipas mediave serbe, në zonën ku ndodhi vrasja janë të instaluara rreth 20 kamera sigurie. Ato raportojnë se vrasësi ka qenë i shoqëruar në momentin që ka kryer krimin, duke nxjerrë një tjetër detaj, atë që në vrasjen e kryetarit të SDP Oliver Ivanoviç, kanë marrë pjesë dy persona.

 “Në likuidimin e Oliver Ivanovic, një nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, morën pjesë të paktën dy persona”, shkruan  Kurir, duke iu referuar burimeve të grupit hetimor.

Oliver Ivanoviç, në zgjedhjet e fundit lokale, ka qenë lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”.

Ndonëse kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të qershorit të vitit 2017, ai kishte hequr dorë për shkak të numrit të madh të subjekteve politike nga bashkësia serbe, duke thënë se kjo do të sillte shpërndarjen e votave.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, disa kandidatë për këshilltarë komunalë nga subjekti i tij politik, ishin tërhequr nga lista për shkak të kërcënimevese do t’i humbnin vendet e punës. Beogradi zyrtar, me këtë rast kishte mbështetur vetëm Listën Serbe.

Në fillim të vitit 2014, Ivanoviç ka qenë një prej kandidatëve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, kur edhe ishte arrestuar. Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2017, kishte vendosur për gjykimin e sërishëm të Oliver Ivanoviçit, pasi që në vitin 2016 ishte dënuar me 9 vjet burg për krime të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjatë viteve 1999 dhe 2000.

Gjykimi kishte nisur me 24 mars të vitit 2017 dhe me 21 prill, Ivanoviçit i ishte hequr masa e arrestit shtëpiak dhe i ishte mundësuar mbrojtja nga liria.

Ivanoviç pas vetes ka lënë bashkëshorten Milenën dhe katër fëmijë.

SHKARKO APP