Kandidati për kryeministër: Kosova brenda 10 ditësh do ta ketë Qeverinë

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova brenda 10 ditëve të ardhshme do të ketë institucionet e reja.

Haradinaj thotë se me mbështetjen e partisë politike Aleanca Kosova e Re, Kosova do të ketë një Qeveri gjithëpërfshirëse. Ai thotë se kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është Kadri Veseli.

Zoti Haradinaj, Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit, pasi deputetët e koalicionit PAN nuk po paraqiten në seancë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pse nuk jeni prezent?

Në seancën e parë konstitutive u kërkua një pauzë. Ishte e nevojshme kjo pauzë për konsulta të ndërsjella edhe rreth kandidaturës edhe rreth votës, jo vetëm për kryetarin por edhe për trupat e tjerë të Kuvendit, nënkryetarët. Konstituimi i Kuvendit pa një dakordim të partive politike është i pamundur.

Pra, dallon konstituimi i Kuvendit nga formimi i Qeverisë për shkak se është një formulë shumë strikte, që buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që vetëm koalicioni fitues ose forca fituese politike, që në këtë rast është PAN-i. Gjendja e krijuar është rezultat i një mosdakordimi nga partitë tjera, në këtë rast nga LVV dhe LAA, që të respektojnë këtë situatë ose këtë të drejtë të fituesit, që të votohet kryeparlamentari.

Ku qëndron tani problemi sipas jush. Ka pasur një periudhë bukur të gjatë kohore për t’u kryer konsultime?

Mendoj se tani ky është vullnet politik i Vetëvendosjes dhe i LDK-së. Pra, është në vullnetin e tyre që a të lejojnë një të drejtë që PAN-i e ka nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke marrë pjesë në votim. Pra, mos marrja pjesë në votim ose mosvotimi i kryeparlamentarit është bërë shkak i kësaj gjendjeje. Për fat, gjendja ka evoluar, pra nuk jemi në atë gjendjen e ngurtë. Është vërtetë e mirëseardhur, një pozicion i ri i AKR-së, edhe i zotit [Behgjet] Pacolli, një gatishmëri që t’i jepet edhe një afat kohor kësaj gjendjeje dhe një afat kohor të caktuar, për të zhbllokuar krijimin e institucioneve në vend, në këtë rast, konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë.

A është i gatshëm koalicioni PAN të ndryshojë kandidatin e nominuar për kryetar Kuvendi?

Kandidati, është e drejt ekskluzive, kandidatura dhe përzgjedhja e kandidatit. Pra, nuk është ndonjë kategori përzgjedhja e kandidatit. Kushtetuta jonë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka paraparë të drejtën e koalicionit fitues që të kandidojë [kryetarin e Kuvendit]. Pra, ta quaj ashtu, interferimi në përzgjedhje nuk është e drejtë e partive tjera, është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve.

Pra, nuk ekziston kategori kushtetuese ose nuk ekziston rregull e paraparë, që i jep të drejtën partive të tjera të interferojnë në përzgjedhje. E ka thënë gjykata, është e drejtë ekskluzive e PAN-it. PAN kishte mundur të vendosë, në një mënyrë apo në një tjetër, por e ka paraparë, e ka kandiduar zotin Veseli dhe ai është kandidati për kryetar Parlamenti.

Këto ditë keni pasur disa takime me deputetë të partive të tjera, që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, por edhe me kryetarin e AKR-së. Për çfarë është biseduar?

Tani, është vërtetë, është domethënëse, është një situatë e re, pozicioni i presidentit Pacolli, në këtë rast kryetarit të Aleancës Kosova e Re. Ai është deklaruar se e ndjen përgjegjësinë si AKR dhe si Behgjet për gjendjen në vend dhe që nuk dëshiron të rri duarkryq gjithë kohës pa vepruar.

Pra, që do t’i japë një afat kohor zhbllokimit të institucioneve dhe do të veprojë. Kjo është një situatë e mirëseardhur dhe dihet mirëfilli se një situatë e tillë, një rol dhe platformë që e shprehu presidenti Pacolli, për një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe një platformë qeverisëse janë interes i vendit sot, dhe ne jemi të hapur për këtë qasje të re të zotit Pacolli dhe e mirëpresim.

Do të thotë se keni marrë një premtim nga AKR se do ta jap votën për kryetarin e Kuvendi dhe formimin e Qeverisë?

Ajo që mund ta konfirmoj është një ndjenjë e përgjegjësisë nga vet zoti Pacolli, pra e ndjen përgjegjësisë që gjendja nuk mund të shkojë në pa kufi kështu.

Nuk guxojmë të hyjmë në ato situatat e vitit 2014, e të vonesave pa kufi. Pra, ai e ndjen përgjegjësinë para popullit, vendit, para aleatëve të Kosovës dhe që zoti Pacolli dhe AKR nuk do të presin pa kufi për të ndihmuar në konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, po edhe t’i marrin përgjegjësitë.

Vetë Pacolli e ka një përvojë të jashtëzakonshme në shumë çështje, qoftë në marrëdhënie me jashtë, qoftë temave ekonomike që është i njohur për këtë, po ka edhe kolegë të zotët dhe jam i bindur se ai do ta japë kontributin e vet edhe në konstituimin e institucioneve dhe qeverisjen në vend.

Deri më tani nuk keni dëshmuar se si koalicioni keni numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e kryetari të Kuvendit dhe Qeverisë, derisa më herët e keni thënë se i keni votat. Çka po ndodh?

Kishte një lëkundje të caktuar në seancën e parë, pra edhe për ne ka qenë pak e habitshme gjendja.

Na erdhi keq për gjendjen e krijuar në pjesën e parë të seancës konstituive. Ju thash dhe e kam përsëritur disa herë, se situata vetëm votë 61, nuk është e parealizuar dhe nuk është joreale çdo ditë, por i kemi dhënë edhe në të kaluarën përparësi një mundësie të një qeverisje me bazë më të gjerë.

Për fat, po rezulton se kemi pasur të drejtë, pra për këtë se vet fakti se presidenti Pacolli, pra të AKR-së, flet se nuk janë shterur mundësitë ende që të kemi konstituimin e Kuvendit, që të kemi një Qeveri me bazë më të gjerë. Dhe mendoj se edhe koha që na ka humbur, nuk mund të quhet krejt kohë e humbur sepse po fitojmë me argumente, pra do të kemi institucione me bazë më të gjerë.

Pra, si do të veproni tani e tutje?

Tani është një situatë e ndjeshme. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, zoti Mikullovci është edhe ai në një situatë jo të lehtë, pra është një precedan, pra gjithë zhvillimi me seancën.

Me gjasë ai nuk e vlerësoi drejt mbylljen e seancës, çka nënkupton mbyllja herën e parë. Tani jemi në tendencë ose në përpjekje që ta rikthejmë seancën. Seanca rikthehet pas dakordimit të partive politike, por nuk mund të kthehet njëanshëm. Dhe mendoj se duhet të shfrytëzohen konsultat për dakordim për seancë.

Ka terren, pra në 10 ditë nga sot, ka terren për mbajtjen e seancës, por nxitimi edhe thirrja e seancës njëanshëm nuk është zgjidhje.

Pra, kur mendoni që Kosova do t’i ketë institucionet e reja?

Tani besoj se është pak më e qartë gjendja. Pra, ka një reflektim të spektrit politik, ashtu siç e thash më herët, dhe besoj që në këto ditët që po vijnë, në këto 10 ditë do të jemi në gjendje që t’i marrim vendimet e duhura për të konstituuar Kuvendin, t’i zgjedhim organet e Kuvendit dhe njëkohësisht edhe formimin e Qeverisë.

SHKARKO APP