Kapitullimi i Lazaratit shkakton deficit marijuane në Kosovë
Në orën 4:20 pasdite më 20 prill, rreth 100 entuziastë të “barit” u mblodhën në pikën më të gjelbër në Prishtinë, Parkun e Gërmisë, për të demonstruar publikisht dashurinë e tyre për “barin” dhe dëshirën për legalizim.
Por, në këtë ritual 4/20 që feston ditën më të shenjtë për adhuruesit e marijuanes në gjithë botën, e vetmja gjë që u konsumua në publik ishin cigaret normale.
Policia e Kosovës paraqiti një kërcënim të menjëhershëm, duke lëshuar një lajmërim për mijëra njerëz që shprehën dëshirën në Facebook për të shkuar në festë.
Trupat policorë zbarkuan në Gërmi brenda dhe jashtë parkut, duke përfshirë edhe njësitë speciale të veshur me antiplumb që zakonisht ruhen për aksione me rrezik të lartë dhe gjithashtu policë civilë që binin në sy edhe më shumë se kolegët e tyre me uniformë të kaltër.
Ata kontrolluan makinat në hyrje të parkut dhe vëzhguan aktivitetet brenda tij, por nuk kryen ndonjë bastisje të rëndësishme. Të rinjtë e çuditur vazhduan festën, kryesisht duke pirë alkool dhe cigare, ndërsa disa arritën fshehtazi të pinë marijuanë në qoshet më të fshehta të parkut.
Për kamerat e mediave, e gjithë ngjarja dukej si një raportim mbi forcat e shtetit puritane dhe devijimin e hippie-ve të rinj. Në të vërtetë, ishte një përpjekje e kotë nga të dyja anët sepse këto ditë, thjesht s’ka shumë “bar” në Kosovë.
“Ishte pak qesharake. Ne madje e mbështollëm një ‘joint’ vetëm me cigare brenda për të bërë shaka me policinë,” kujtoi Vullnet Krasniqi, organizator i ngjarjes 4/20.
‘Joints’ tash është luks
E takova Krasniqin në një bar në qendër të Prishtinës, ku ai po pinte një birrë.
“Tani jam bërë pijanec,” tha ai, duke shpjeguar që e ka zëvendësuar zakonin e disa ‘joints’ në ditë me 2 litra birrë dhe një pako cigaresh.
“Tani ka dy shpërndarës pikërisht këtu, por asnjëri nuk e shet barin – e përdorin vetëm për veten,” tha Krasniqi. Shpërndarësit nuk pranuan të intervistohen.
Mungesa e marijuanës në Kosovë është shumë reale. Që nga qershori i kaluar, kur policia shqiptare mori në dorë Lazaratin, fshatin pa ligje që ishte qendra e prodhimit të marijuanës në Shqipëri, furnizimi në Kosovë është zvogëluar.
Në muajt e kaluar efekti është më i dukshëm ndërkohë që çmimi dhe pamjaftueshmëria e “barit” ka arritur nivele të papara në më shumë se një dekadë.
Çmimet janë rritur për pesë-gjashtë herë, duke e kthyer marijuanën nga një zakon i përballueshëm ditor në një luks. Para se të shkatërrohej Lazarati, përdoruesit thonë që, tre apo katër ‘joints’, që është rreth 1.5 gram apo më shumë, kushtonte rreth pesë euro.
Këto ditë, pesë euro mund të të ofrojnë një ‘joint’ të vogël që përmban më pak se gjysmë grami. “Pija pesë deri në dhjetë gram në ditë. Ishte e lirë. Tash e pij një, apo aspak, gjatë gjithë javës,” thotë Agroni, një përdorues nga Prishtina. “Tash është mundim. Kushton shumë të jesh ‘gipser’, përveç rasteve kur e shet.”
Juxhin Çela, përfaqësues i “Legalize It Albania”, një grup aktivist nga Shqipëria që avokon për legalizimin e marijuanës, thotë se rritja e çmimit por dhe përkeqësimi i cilësisë së “barit” janë problemet kryesore që vërehen.
Ai tregon se nisur nga komentet e shumta që kanë marrë nga publiku, ekziston perceptimi se në tregun e Tiranës apo të qendrave të tjera urbane në vend, që prej shtatorit ka pasur një rritje të konsiderueshme të çmimit.
“Qeset përkatësisht prej 500 lekësh (3.5 euro) apo 1000 lekësh (7 euro), kanë tashmë një sasi 3-4 herë më të vogël. Diçka e tillë ka ndodhur prej luftës së qeverisë kundër prodhimit të paligjshëm të marijuanës në vend, me pikënisje Lazaratin,” shpjegon ai.
Statistikat e munguara
Rënia e “Republikës së Lazaratit”, siç e quanin disa, ka shkaktuar pasoja që shtrihen ngjashmërisht si në Shqipëri dhe në Kosovë.
Nuk ekzistojnë të dhëna të besueshme për përdorimin e marijuanës në Kosovë. Të dhëna zyrtare, si raporti i 2014 nga Kosova për Qendrën Evropiane të Monitorimit të Drogave dhe Varësive, thonë që përdorimi i barit është një anomali statistikore. Raporti deklaron që vetëm 2.4% e studentëve e kanë pirë ndonjëherë.
Disa nuk janë dakord me këtë. “Numri nuk e përfaqëson se çka po ndodh në të vërtetë,” tha Lindor Bexheti, një punonjës social në “Labyrinth”, një OJQ në Prishtinë që merret me parandalimin dhe trajtimin e abuzimeve të drogës.
Ndërkohë që shumica e klientëve të “Labyrinthit” janë përdorues të heroinës, Bexheti tha se një numër në rritje i përoduruesve të marijuanës po vijnë për trajtim edhe pse OJQ-ja nuk ka numra precizë.
Ndërkohë që Bexheti tregon menjëherë për rreziqet potenciale të përdorimit afatgjatë të marijuanës, siç janë problemet me shëndetin mendor, ai pranon që është droga rekreacionale më e sigurt. “Numri i vdekjeve është zero,” thotë ai.
Marijuana ende është tabu
Përdorimi i marijuanës ende mban një stigmë të madhe në Kosovë, ku sidoqoftë, e trajtojnë njësoj dhe bashkë me droga shumë më të rënda si kokaina dhe heroina. Tabuja rrjedh prej njerëzve të thjeshtë e deri te politikat shtetërore.
Plani pesëvjeçar i qeverisë për drogat, që jep një kornizë veprimi për policinë, ligjet gjyqësore dhe shëndetësore, nuk përmend asnjë substancë me emër.
Kodi Penal i Kosovës, gjithashtu, nuk bën dallim mes substancave. Kundërvajtësit për herë të parë që kapen me më pak se tre gramë të çfarëdo droge ilegale mund të dërgohen në burg për deri në 1 vit.
Qëndrimet dhe aksionet ndryshojnë edhe brenda policisë. Kur u ula me kreun e policisë së antidrogës, Majorin Bahri Shala dhe zëvendësin e tij, togerin Aziz Osmani, dy hetuesit veteranë ofruan qëndrime të ndryshme çka duhet bërë me marijuanën.
“Do ta legalizoja,” thotë Osmani. “ Për mendimin tim po na kushton shumë resurse. Por duhet ta zbatojmë ligjin.”
Shala e shikoi zëvendësin e tij me mëdyshje dhe tundi kokën. “Kosova s’është gati,” thotë ai. “Në këtë vend, njerëzit i shohin përdoruesit e drogave si një problem më i madh sesa kur një ministër merr një milion euro.”
“Për ne, nuk janë 5000-6000 përdoruesit e marijuanës problemi. Ne nuk duam t’i luftojmë, por e kemi detyrë të reagojmë,” shtoi ai.
Reagimi i policisë për ngjarjen e 4/20, arsyetoi Shala, nuk ishte një mësymje e posaçme ndaj marijuanës, por për të penguar që diçka e tillë të ndodhte para familjeve dhe fëmijëve.
Këto ditë, ka më pak “bar” për policinë për të konfiskuar, si rezultat i ngjarjeve në Lazarat. Nga janari në prill, policia konfiskoi rreth 24.5 kilogramë marijuanë dhe bëri 168 arreste. Në të njëjtën periudhë për vitin 2014, policia konfiskoi 378.25 kilogramë dhe arrestoi 251 persona.
Mungesa e marijuanës është në fazat e hershme. Por, përdoruesit po bëjnë përshtatje.
Pjesë e motivimit të Krasniqit për organizimin e 4/20 ishte që ka vërejtur përdoruesit e marijuanës të ndryshojnë në zakone më të dëmshme për të zëvendësuar drogën e tyre të vjetër.
“Është një problem sepse kur nuk ka ‘bari’ rinia do të përdorë droga të tjera dhe mendoj që si rezultat do të kemi më shumë të rinj që do vdesin,” tha ai, duke shtuar që drogat si “speed”, “ekstazi” dhe GHB po bëhen një skenë normale në jetën e natës në Prishtinë.
Juxhin Çela në Tiranë tregon se shumë komentues në faqen e tyre Facebook thonë se është më e lehtë se më parë që të gjesh droga të tjera në treg. Ai thotë se intensifikimi i betejës ndaj marijuanës ka nxjerrë shitësit e vegjël nga tregu dhe ka krijuar terren ekskluziv për grupet e organizuara kriminale.
“Nëse një grup i organizuar prodhon dhe ka krijuar një rrjet shpërndarjeje hashashi dhe këtë e bën mirë, pse të mos zgjerojë produktet që ofron dhe si pasojë fitimet?” arsyeton ai. Çela thotë se kokaina ka marrë një masivitet të pahasur më parë në Shqipëri dhe tani është kudo, nga jeta e natës në universitete.
Dardani, pronari i një dyqani nga Mitrovica, më tha që dikur pinte katër ‘joints’ në ditë por tani e ka ndërprerë. Përveç rritjes së çmimit, ai ndihej i frustruar me numrin e thirrjeve që duhej të bënte për të gjetur një shpërndarës. Në vend të saj, ai shkon në farmacinë lokale dhe blen një drogë anti-ankth të quajtur Bromazepam, që ai mund ta marrë pa shkresë të mjekut.
“E di rrezikun e varësisë dhe shpresoj që do të kalojë kjo periudhë pa këto probleme,” thotë Dardani. “Shumë të rinj po bëjnë të njëjtën gjë – përdorin hapa të ndryshme që janë të dëmshëm.”
Togeri Bajram Nuhiu, dikur mësues, tani është drejtor i Departamentit të Policisë për Parandalimin e Drogave që përfshin komunikim me shkolla. Ai nuk pajtohet me idenë që përdoruesit e marijuanës po përdorin droga më të rënda si shkak i mungesës së saj.
“Këto janë vetëm thashetheme, nuk ka të dhëna që tregojnë që kjo po ndodh,” thotë Nuhiu.
Sipas Nuhiut, ndalimi i marijuanës është i rëndësishëm sepse është substanca që “hap dyert” për drogat e tjera dhe gjithashtu marijuana vetë është shumë e rrezikshme. “Marijuana shkakton më shumë dëm se cigarja,” thotë ai.
“Drogë që hap dyert”
Ironikisht, hulumtuesja amerikane që e para përdori termin “drogë që hap dyert” në vitet e 70-ta, Denise Kandel, së fundi publikoi një artikull që thotë se duhani dhe nikotina “janë porta më e efektshme nga të gjitha” drejt drogave të rënda, sipas një interviste që ajo dha për Radion Publike Kombëtare (NPR) në ShBA, në muajin prill.
Bexheti, punonjësi social, tha që është e vështirë të predikosh se çka do të ndodhë nëse mungesa e barit vazhdon. Ai beson që përdoruesit jo të rregullt mund të përfundojnë duke pirë më shumë alkool, ndërsa të tjerët mund të tërhiqen nga substanca më të rënda, si heroina dhe kokaina, ngaqë shpërndarësit zakonisht shesin më shumë se një lloj droge.
Ai shpreson që përdoruesit më të rinj të bëjnë vendime më të mençura sepse janë më të edukuar për drogat.
“Të rinjtë dinë shumë mirë. Janë të edukuar. Ata që pinë marijuanë i dinë llojet, i hulumtojnë ato,” thotë ai. “Kur i pyes për heroinë, ata thonë që është një drogë e një klase tjetër: “nuk do e përdorja kurrë [marijuanën],” shtoi ai.
Përfundimisht, Kosova ka nevojë për një ligj më të mençur për droga, sidomos për marijuanën, tha Bexheti. Por ai mendon që dekriminalizimi është hap më i mirë se legalizimi total.
“Është një kulturë ndryshe në Kosovë, një histori ndryshe, një mentalitet ndryshe, gjithçka ndryshe. Ne duhet t’i shikojmë të gjitha, por nëse e legalizon, shteti e kontrollon, dhe shteti është i korruptuar. Si do të përfundonte kjo punë?” pyet ai.
Edhe pse Agroni, përdoruesi nga Prishtina, ka ndaluar përdorimin ditor për shkak të çmimit, kur ai e pi, e paguan duke ia shitur shokëve të tij. Është krim më serioz. “Nuk ka shumë rrezik – thjesht më shkruajnë në Facebook,” tha ai.
Kur e pyeta Agronin pse ai është gati të ndërmarrë një rrezik të tillë, ai buzëqeshi, dhe tha, “sepse më pëlqen ta pi.”
Marrë nga Gazeta Jeta në Kosovë