Karl Bildt në Kukës për vuajtjet e kosovarëve në 1999, por gjen muzeun të kyçur
Delegacioni i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, i kryesuar nga Karl Bildt vizitoi këto ditë Tiranën.
Pasi bisedoi me krerët e shtetit shqiptar, Karl Bildt, diplomat dhe ish kryeministër i Suedisë mori rrugën për në Kosovë, bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit.
Rrugës për në Kosovë, zyrtarët e huaj ndaluan në Kukës, më saktë në Muzeun Etnografik të qytetit, i cili është ngritur në përkujtim të ngjarjeve të pranverës së vitit 1999, kur qindra mijëra kosovarë u dëbuan me dhunë nga forcat serbe.
Për habi të të gjithëve, derën e muzeut e gjetën mbyllur. Nuk dihet përse, paraditen e kësaj të enjteje, muzeut i kishin vënë drynin.
“Muzeu etnografik në Kukës në veri të Shqipërisë, fatkeqësisht është i mbyllur. Shumë i mbyllur”- shkroi në Twitter kreu i delegacionit të Këshillit të Europës.
The ethnographic museum in Kukes in northern Albania is unfortunately closed. Very closed. pic.twitter.com/pH5WiHIhnP
— Carl Bildt (@carlbildt) February 22, 2018
Karl Bildt ka njohuri të mjaftueshme për tragjeditë që kanë ndodhur në Ballkan. Nga 1999 deri në 2001, ai ka shërbyer si i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Ballkanin. Ka qenë Ministri i parë i Jashtëm që ka vizituar zyrtarisht Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.