Kërkesë për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dardan Gashi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në interpelancë para Kuvendit të Kosovës. Kërkesën për këtë interpelancë e ka parashtruar Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të informuar në lidhje me gjuajtje më armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Në fund të vitit kaluar, në media janë publikuar disa pamje ku shihet zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës, Dardan Gashi duke gjuajtur më armë nga dritarja e një dhome, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë tjerë të Qeverisë.

Armend Zemaj, deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, shkarkimin e Dardan Gashit nga pozitat zyrtare. Zemnaj ka thënë se skena të tilla të gjuajtjes më armë janë akte kriminale që janë të ndaluara më ligjet e Kosovës.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon përgjegjësi nga Qeveria karshi këtyre veprimeve të rrezikshme dhe me shkelje të rënda ligjore. Veprime të tilla, janë të dënueshme edhe më Kodin Penal të Republikës se Kosovës”.

“Dhe pika e dytë: kërkojmë menjëherë shkarkimin e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe personave tjerë qeveritarë të përfshirë në këtë ngjarje”, ka thënë deputeti Zemaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se është e papranueshme gjuajtja më armë, por që siç ka thënë ai, kjo gjuajtje është në kuadër të traditave që ende nuk janë zhdukur në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk mund të marr ndonjë masë kundër zëvendëskryeministrit, për shkak se lënda është në proces gjyqësor.

“E marr si mundësi që trajtimin e kësaj teme në Parlament dhe interpelancë, ta kthejmë në vëmendje dhe të orientohemi nga zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës. Kurse, traditën ta kultivojmë pa rrezikuar jetën e askujt dhe që nuk bie ndesh më ligjin dhe Kushtetutën e vendit”.

“Kërkesa për masa tjera, për mua është hershme, për çfarë do mase që ka qenë i përfshirë, për shkak se është në proces ligjor dhe nuk parashihet të avancohet më veprime për derisa kjo temë është në proces ligjor”, ka thënë kryeministri Haradinaj. /REL/

SHKARKO APP