Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë pershendet formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të 14 shkurtit 2021.
“Duke uruar Qeverinë e re dhe Kryeministrin, Sh.T.Z. Albin Kurti, për besimin që morrën nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e Kuvendit të mbajtur me 22 mars 2021, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh pritjen dhe besimin se Qeveria Kurti, si dhe tërë spektri politik i Kosovës do të përballet me sukses me sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson me kënaqësi se përgjatë këtij procesi demokratik, qytetarët dhe forcat politike të Republikës së Kosovës treguan një kulturë të lartë demokratike dhe një pjekuri të konsoliduar politike. Me zhvillimin e një procesi zgjedhor në frymë tërësisht demokratike, votimin e Qeverisë në seancën e Kuvendit që u karakterizua me debate parlamentare, si dhe me tranzicionin qeverisës përmes pranim-dorëzimit të dëtyrës në mënyrë shumë dinjitoze, Republika e Kosovës dha një shembull për tërë rajonin tonë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreson dhe beson se kjo frymë demokratike dhe dialogu politik do të jenë emëruesi i përbashkët edhe i proceseve të tjera politike që e presin Republikën e Kosovës, duke përfshirë edhe zgjedhjen dhe formimin e institucioneve të tjera shtetërore.
Në përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur genocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, mesazhi më i mirë që Kosova mund t’i përçojë botës demokratike është pikërisht përparimi i shtetit të Kosovës në përqafimin e fuqishëm të parimeve të lirisë dhe demokracisë, që janë vlera sublime të hapësirës Euro-Atlantike”, thekson Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.