Këshilltarja e Haradinajt zbulon prapaskenat e Samitit të Berlinit: Rama bënte gjeste të pahijshme për të rënë në sy
Meliza Haradinaj, Këshilltare e Kryeministrit në largim ka treguar disa nga prapaskenat e samitit te Berlinit, duke u ndalur ne veprimet qe sipas saj bente kryeministri i Shqiperise, Edi Rama.
Me një postim në Facebook, me titull “Ja e vërteta e Ramës”, ajo shkruan se kur Rama ishte në Berlin bënte veprime për të rënë në sy, sipas saj, aspak serioze për një kryeministër.
“E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental!”, ka shtuar ajo.
Ditë më parë, Edi Rama, deklaroi se do ta padise Haradinajn, nderkohe qe ky i fundit i adresoi nje pergjigje ne nje prononcim per “News 24”, duke thene se i qendron mendimit te tij. “Detyra ime në mbrojtje të Kosovës, kjo është tokë e shqiptarëve, e të gjithë neve. Qëndrimi im kundër ndarjes është legjitim”- tha Haradinaj.
“Në gjykatat e Kosovës, zotëria duhet të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndanim unë, Hashim Thaçi dhe Vuçiçi. Që t’i thuash një populli se ishin 10 miliardë në tavolinë atyre bravo ju qoftë që marrin akoma vota”- tha Rama.
Reagimi i Meliza Haradinajt:
JA E VËRTETA E RAMËS
Domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjes Kosovë – Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues. Megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë. KM Rama “kërcente” në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush.
Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë. Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhepse me mbathje atraktive.
Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë – Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%.
E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental!
Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare… e kjo s’është punë e kësaj gjenerate!
Ma thuani cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!