Klerikët serbë edhe në manifestimin e Gazimestanit vijuan me dialektikën e theksuar fetare dhe nacionaliste
Klerikët serbë edhe në manifestimin e mbajtur në Gazimestan, nuk lanë pa folur me tone të theksuara fetare dhe nacionaliste, duke tërhequr vëmendjen me mesazhet kinse për trashëgiminë e tyre në Kosovë.
Gjatë një tubimi fetar afër Obiliqit, Rastko Lupuloviq, i cili mori emrin fetar Ilarion, theksoi rëndësinë e “Mbretërisë Qiellore” dhe besëlidhjes së Car Llazarit, duke bërë paralele të drejtpërdrejta me praninë e kishës në Kosovë sot.
Në fjalën e tij, peshkopi Ilarion, peshkop për Novobërdën i Kishës Ortodokse Serbe, e cilësoi Patriarkanën e Pejës si vetë “Mbretërinë Qiellore të përkthyer në gjuhën serbe”, duke pretenduar se themelet e një “Jerusalemi të lartë” gjenden pikërisht aty dhe në Manastirin e Deçanit.
“Ne përsëri shohim se kemi themelet e qytetit qiellor. Ku janë ato? Ja, në Manastirin e Deçanit, ku kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë pelegrinë dhe besimtarë që marrin kungimin. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë anëtarë të bashkësisë sonë të besëlidhjes. Ku janë themelet e Jerusalemit të Sipërm këtu? Ato janë në pikënisjen tonë, në Patriarkanën e Pejës. Sepse Mbretëria Qiellore, e përkthyer në gjuhën serbe, quhet Patriarkana e Pejës. Kjo është mbretëria, qytetarë të së cilës dëshirojmë të bëhemi dhe të mbetemi të denjë për të”, tha ai.
Një moment që tërhoqi vëmendjen ishte rikthimi i atij që njihet si “mallkimi i Kosovës”, i drejtuar kundër atyre që tradhtojnë besëlidhjen e tyre fetare dhe kombëtare.
“Kush nuk vjen në betejën e Kosovës, dora e tij mos dhëntë fryt; ndryshku ia mbuloftë kapelën sa të jetë gjallë,” citoi ai, duke u dërguar një paralajmërim të qartë atyre që devijojnë nga rruga e kishës dhe nga ajo që ai e quajti rruga e vetme e vërtetë.
Përtej mesazheve për moslëshim të asaj që ai e cilësoi si e vërteta dhe dinjiteti i tyre, kleriku foli edhe për bashkëjetesën.
“Asgjë nuk mund të merret me forcë. Dhe kur dikush përpiqet të na marrë diçka me forcë, kur dëshiron të na ndalojë besëlidhjen tonë, kur na ndalojnë fjalët tona, ne e ruajmë dinjitetin tonë dhe dëshirojmë të qëndrojmë të palëkundur edhe në vendet më të vështira. Ju falënderoj që vini dhe që largoheni duke përhapur mesazhin e paqes. Flisni mirë për të gjithë, dëshironi të mirën për të gjithë, edhe për fqinjët tanë që jetojnë këtu me ne”, ka thënë ai.
Ai theksoi se besimi i tyre kërkon që t’u urojnë të mirën të gjithëve, përfshirë edhe fqinjët me të cilët jetojnë, ndonëse paralajmëroi me tone të prera se nuk do ta shesin asnjëherë lirë të vërtetën e tyre dhe nuk do të lejojnë askënd t’ua marrë atë me forcë.
Në fund të fjalimit, u përcollën bekime nga figura të ndryshme të kishës serbe nga rajoni dhe diaspora, përfshirë Patriarkun Porfirije.
Për këtë të fundit, kleriku pretendoi se ka dëshirë të madhe të vizitojë Kosovën por aktualisht e ka të pamundur. Fjalimi u mbyll me një thirrje për qëndresë, duke e përshkruar territorin si një “vend të frikshëm” ku kërkohet forcë për të mbijetuar.
/Kosovapress/
KOHA JONË SONDAZH

