Komandanti i UÇK-së, që la armët për të drejtuar shtetin
Hashim Thaçi është një nga figurat që ka dominuar politikën në Kosovë pas luftës, duke u bërë kryeministri i parë i Kosovës së pavarur dhe presidenti i pestë i Republikës së Kosovës. Komandanti i UÇK-së, që la armët për të drejtuar shtetin, më 17 shkurt 2008 ishte zyrtari që lexoi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Prej prill 2016 dhe deri më 5 nëntor 2020, ai mbante postin e Presidentit, ndërsa më parë ka shërbyer si Kryeministër për disa mandate.
52-vjeçari ka studiuar filozofi në Prishtinë para se të zhvendosej në Zvicër, ku iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1993. Më pas ai u kthye në një prej liderëve të UÇK-së duke qenë dhe pjesë e negociatave të Rambujesë. Pas luftës, Thaçi u bë pjesë e administratës në Kosovë duke drejtuar PDK-në, parti me të cilën fitoi zgjedhje në vitin 2007. Pas deklarimit të pavarësisë, u bë Kryeministri i parë i Kosovës. Emri i tij doli në skenë pasi ishte një prej komandantëve të UÇK, pikërisht kreu politik i saj. Thaçi ka lindur në fshatin Burojë, të komunës Skënderaj, në luginën e Drenicës, një rajon historik rezistent ndaj sundimit serb.
Gjatë presidencës së tij, Thaçi ishte pro ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Ratifikim ky i cili nuk ishte pa pasoja për banorët si rezultat Kosova humbi territor sipas ekspertëve. Në vitin 2020, ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, tha se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ishin ideatorët për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të thotë dhënien e Veriut dhe marrjen e Luginës së Preshevës. Ndërkohë Thaçi është shprehur disa herë publikisht se ishte pro bashkimit me Luginën e Preshevës dhe kundër ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve.
Në qershor të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur akuza ndaj Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Dy prej figurat kryesore të PDK-së akuzohen për krime gjatë Luftës së Kosovës. Thaçi dhe Veseli, por edhe persona të tjerë dyshohen për krime kundër njerëzimit ndër të cilat vrasje, zhdukje të personave, përpjekje dhe tortura.
Në aktakuzë pretendohet se, Thaçi, Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, është krijuar më 3 gusht 2015 me një amendament të veçantë në Kushtetutën e Kosovës, që në atë kohë u mbështet nga vetë Thaçi. Ende nuk është e qartë nëse mandati i kësaj gjykate do të përfundojë këtë vit apo Këshilli i Bashkimit Evropian do të zgjatë më tej aktivitetin e saj. Vitin e kaluar, ish-Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqjen pas akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale për krime gjatë luftës. /Euronews Albania/