Komisioni i ri Europian votohet nesër, Kosova pret qasje më pozitive

Parlamenti Evropian pritet të votojë të mërkurën përbërjen e re të Komisionit Evropian, pas zgjedhjeve të mbajtura në qershor të këtij viti. Aktorë politikë në Kosovë, por edhe njohës të integrimeve europiane, kanë pritshmëri për një qasje më pro aktive dhe mbështetëse ndaj Kosovës. Në krye të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së do të jetë ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kllas, ndërkaq komisionerja për zgjerim do të jetë Marta Kos nga Sllovenia. Të dyja zyrtaret e larta evropiane vijnë nga vende njohëse të pavarësisë së Kosovës dhe ky fakt për shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është pozitiv për vendin. Duke vlerësuar qëndrimet e dy zyrtareve të ardhshme pwr Kosovwn, Kursari Lila thotw për Kosova Press se pret që politika e pandëshkueshmërisë ndaj Serbisë do të ndryshojë.

“Pashmangshëm do të jetë një politikë paksa më ndryshe në raport me bartësit e dikastereve në kuadër të Komisionit Evropian. Për Republikën e Kosovës dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti janë të rëndësishëm dy dikastere. Komsionerja për zgjerim, Marta Kos, dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas. Në të dy rastet pozicionet e deklaruara, dëgjimeve që kanë qenë në kuadër të komisioneve në Parlamentin Evropian kanë qenë qëndrime në përputhje të plotw edhe me qëndrimin e Kosovës. Në raport edhe me qoftë mosndryshimin e kufijve në Ballkan, ku komisionerja Kos ka qenë e prerë se në Ballkan s’do të ketë ndryshim të kufijve”, tha Kusari Lila.

Kjo politikë e pandëshkueshmërisë (e Borrell dhe Lajçak) apo njëfarë forme e nxjerrjes së Serbisë në një pozicion të barabartë me Kosovën do të ndryshojë ose të paktën do të ketë tendencë për të ndryshuar”. Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, njëherësh kryetarja e Komisionit parlamentar për integrime evropiane, Rrezarta Krasniqi, pret që shumë shpejt pas votimit të Komisionit të ri Evropian të miratohet plani i zgjerimit të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, përbërja e re e Komisionit Evropian duhet të insistojë për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. “Konstituimi i Komisionit të ri Evropian ka një rëndësi të veçantë për Bashkimin Evropian, por edhe për Kosovën. Tashmë pritet të bëhet zgjerimi i planit të BE-së, gjithashtu pritet të hiqen edhe masat e BE-së. Mirëpo më shumë varet edhe nga institucionet tona që të zbatojnë kërkesat e BE-së, të cilat janë të parealizueshme deri tani”, tha Krasniqi.

Optimist se Komisioni i ri Evropian do të ketë qasje pro-aktive ndaj Kosovës është edhe profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku. “Roli i individit ka jashtëzakonisht shumë rëndësi. Në mandatin e kaluar, në strukturat e deritanishme të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, kemi pas kryesisht personalitete të cilat vijnë nga ministritë e jashtme të shteteve që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë mjaft rezistente sa i përket njohjes së sovranitetit të Kosovës. Në këtë rast, lajmi pozitiv është se zyrtarja në fjalë për organin respektiv të Bashkimit Evropian vjen nga një shtet i cili është ndër shtetet e para njohës të Pavarësisë së Kosovës. Apriori kjo e vendos Kosovën në pozitë më të favorshme, krahasuar me mandatin paraprak”, deklaron ai. Komisioni i ri Evropian do të ketë mandat 5-vjeçar. Institucionet kosovare, jo rrallëherë kanë adresuar kritika për Josep Borrell dhe komisionerin aktual për zgjerim, Oliver Varhelyi për qasje jo të drejtë ndaj Kosovës.

SHKARKO APP