Konfindustria: Marrëdhënia ekonomike Kosovë-Shqipëri, e pakëndshme, mungon vullneti politik
Përmes një deklarate për shtyp bën me dije se Konfindustria vlerëson se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë në nivel të pakënaqshëm dhe mjaft larg mundësive të pasurive natyrore, financiare, njerëzore si dhe interesit kombëtar.
Në këtë deklaratë theksohet se Konfindustria mbështet pjesën e programit politik të qeverisë së re të Kosovës të kryesuar nga Albin Kurti, në të cilën u theksua rëndësia e veçantë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve shqiptare.
Konfindustria përgëzon paraqitjen e projekteve të qarta të investimeve në sektorë strategjikë si p.sh rruga Gjakovë – Shkodër, tregu energjitik i përbashkët, etj.
Konfindustria vlerëson, se pavarësisht takimeve dhe nënshkrimit të një numri të madh marrëveshjeve së bashkëpunimit ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në realitet kanë ardhur duke u vështirësuar në vite.
Sipas deklaratës së nënshkruar nga administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, shumë marrëveshje zyrtare të nënshkruara nuk janë zbatuar nga qeveritë respektive.
Më poshtë vijon duke shkruar se gjendja e pakënaqshme e marrëdhënieve ekonomikë të sotme dhe vonesat e ndërtimit të Tregut të Përbashkët Shqipëri-Kosovë ka ardhur edhe nga mungesa e vullnetit të vendimmarrjes politike të lidhur dhe/ose ndikuar me grupe monopoliste të biznesit.
Sipas Konfindustrisë, përplasjet dhe mosmarrëveshjet kanë arritur deri në pika të nxehta, që kanë marrë pamjen deri të luftës tregtare ndërmjet dy shteteve shqiptare.
Përmendim përplasjet tregtare në fushën e disa prodhimeve bujqësore, çimentos, agroindustrisë, etj.
Kompanitë shqiptare nuk kanë qenë në gjendje të përfitojnë edhe nga vendosja e taksës mbi prodhimet me origjinë nga Serbia nga qeveria e Kosovës.