Konfirmon Albin Kurti: Nuk do të bëjmë koalicione pas 14 shkurtit, atë e kemi bërë para zgjedhjeve me Osmanin
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të bëjnë koalicione pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke shtuar se atë e ka bërë para zgjedhjeve me Vjosa Osmanin.
Përpara qytetarëve në Shtime, Albin Kurti ka thënë se do të synojnë më shumë se 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Për ta arritur këtë objektiv ai kërkoi ndihmën e qytetarëve, të cilëve u bëri thirrje për të votuar masivisht në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Numri 127 është numri i fitores, por kësaj radhe fitorja nuk është vetëm të dalim të parët se dihet që dalim ne të parët se nuk ka kush del i pari. Fitorja është 61 deputetë e më shumë, na duhet shumicë parlamentare se nuk do të bëjmë koalicione pas zgjedhjeve, ato i kemi bërë para zgjedhjeve, Vjosa Osmani dhe unë. Nuk do të qeverisim për të ju sunduar, nuk do të qeverisim për t’u pasuruar, edhe zonja Osmani edhe unë do të mbetemi siç jemi klasë e mesme, për t’u pasuruar është biznesi”, tha Kurti.