Konjufca drejt dështimit? Po skadon afati kushtetues, pasuesi i Kurtit nuk i ka votat për qeverinë e re
Vetëm katër ditë para përfundimit të afatit kushtetues për formimin e qeverisë së re nga mandatari i dytë, Glauk Konjufca, situata politike në Kosovë mbetet e bllokuar. Sipas mediave në Prishtinë, Konjufca – i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje pas dorëheqjes së Albin Kurtit – ende nuk ka siguruar shumicën parlamentare për të votuar kabinetin e tij qeveritar.
Ndërkohë, subjektet kryesore opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin Konjufcën për postin e kryeministrit, duke e lënë procesin politik drejt një dështimi të mundshëm.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, deklaroi se LDK nuk do të japë votë për qeverinë e re të Vetëvendosjes:
“S’ka votë për Lëvizjen Vetëvendosje. Zgjidhjen e kemi propozuar që në prill dhe është refuzuar. Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja. Presim që situata të shkojë deri ditën e fundit dhe të ketë një show politik.”
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban të njëjtin qëndrim. Deputeti Lahi Brahimaj konfirmon se pavarësisht përpjekjeve të LVV-së për të lobuar votat, mbështetje nuk do të ketë:
“Nuk do të ketë votë për Glauk Konjufcën. LVV dhe Kurti nuk kanë qenë të interesuar të ndërtojnë institucione. E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.”
Analisti politik Albinot Maloku shprehet skeptik për arritjen e marrëveshjes:
“Nuk ka asnjë indikacion se mund të ketë votim për këtë qeveri. Nuk bëhet fjalë për një qeveri teknike, por politike. Nuk shoh mundësi reale që procesi të ecë përpara.”
Institucionet e bllokuara dhe rreziku për buxhetin
Kanë kaluar nëntë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por Kosova ende nuk ka arritur të krijojë institucione funksionale. Ngërçi politik, sipas ekspertëve, mund të ndikojë edhe në mosmiratimin e buxhetit 2026, duke rrezikuar stabilitetin financiar dhe investimet publike.
Nëse Konjufca nuk arrin të sigurojë shumicën deri në skadimin e afatit, pritet që Presidentja të shpallë zgjedhje të reja parlamentare.
KOHA JONË SONDAZH

