Konjufca: VV do të refuzojë çdo ftesë të LDK-së për presidentin

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se subjekti që ky përfaqëson, nuk do t’i përgjigjet fare ndonjë ftese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në takimin për çështjen e presidentit.

“Ne mendojmë si Vetëvendosje që as që ja vlen të shkojmë në mbledhje të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila nuk e ka hallin fare te presidenti, por e ka hallin tek mosshkaktimi i zgjedhjeve të reja nacionale parlamentare”.

Konjufca në Rubikon me Adriatik Kelmendin, madje tha se çështja e presidentit nuk është shqetësim i Lidhjes Demokratike.

“Për LDK-në nuk është shqetësimi dhe fokusi që Kosova nuk e ka një president. Shqetësimi është qysh kjo me qenë instrument i shmangies së zgjedhjeve nacionale. Kështu e konsideroj sjelljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për arsye se nuk jam i sigurt nëse e ka të garantuar vendin e tretë në zgjedhje nacionale”.

Ai gjithashtu konsideron që tema e çështjes së presidentit por edhe e dialogut, nuk duhet ngritur fare për diskutim nga klasa politike, pasi sipas tij, Qeveria Hoti është jolegjitime.

Në një reagim pas kësaj deklarate, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njēherësh  zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenës Sociale, Besart Dreshaj, ka thënë se kjo parti nuk pranon kushtëzim për postin e presidentit.

Përmes një statusi në Facebook, Besart Dreshaj ka thënë se LDK është parti e cila promovon parimet e unitetit dhe bashkëpunimit.

“Ne jemi parti demokratike dhe e cila promovon parimet e unitetit dhe bashkëpunimit.Nëse të tjerët mendojnë se kjo është dobësi, dhe synojnë ta kushtëzoinë LDK-në me postin e Presidentit, atëherë ne si LDK, duhet ta refuzojmë këtë logjike, duke shkuar në zgjedhje. Nuk është hera e parë, që të gjjthë janë kundër LDK-së!”

SHKARKO APP