Kosova anulon pjesëmarrjen në Budva, shkak “Kosovo*”
Qeveria e Kosovës, në momentin e fundit ka refuzuar pjesëmarrjen në një konferencë rajonale për çështje të pushtetit lokal në Budvë të Malit të Zi, të planifikuar për t’u mbajtur më 5 dhe 6 prill, pasi që ka vërejtje në mënyrën se si Misioni i OSBE-së në Kosovë, si organizator i konferencës, e ka ftuar Kosovën të marrë pjesë në të.
KALLXO.com ka siguruar një letër në të cilën sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, dërguar shefit të këtij misioni, Ambasadorit Jean- Claude Schlumberger, në të cilën ia ka shfaqur pakënaqësinë e Ministrisë për mënyrën se si ishte formatuar kjo konferencë.
Në këtë letër, Osmani shpreh keqardhje që delegacioni i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në konferencën që kishte të bënte me integritetin publik në nivelin lokal.
“Qeveria e Kosovës refuzon të marrë pjesë në ndonjë konferencë ku përfaqësimi i Kosovës nuk është në harmoni me ‘aranzhimet për përfaqësim rajonal dhe bashkëpunim’ të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së.
Osmani thotë se bazuar në Nenin 2 të marrëveshjes, “Kosovo” është emërtimi i vetëm që duhet të përdoret brenda kornizës së bashkëpunimit rajonal, ndërsa Neni 3 e shpjegon përdorimin e fusnotës “pa paragjykuar qëndrimin ndaj statusit (të Kosovës)”, dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.