Kosova arreston ministrin serb. Prishtina: Ky vend ka zot shtëpie

Njësitë e policisë së Kosovës ndërhynë në veri për të shpërndarë një tubim në të cilin po merrnin pjesë zyrtarë serbë që kishin hyrë në Mitrovicë me gjithë ndalesën nga autoritetet e Prishtinës.

Policia arrestoi dhe e dërgoi në Prishtinë shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili bashkë me sekretarin e përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, hynë në Mitrovicë jashtë rrugëve të ligjshme.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të tubuarit.

https://www.facebook.com/kohajone/videos/801746406681565/

Autoritetet në Prishtinë kishin refuzuar t’u japin leje zyrtarëve të qeverisë së Serbisë për të qëndruar të hënën në Kosovë.

Policia e Kosovës dërgoi forca shtesë në veri për të penguar përpjekjet për të hyrë në Kosovë të disa zyrtarëve serbë, përfshirë ministrin e serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

Autoritetet thanë se në të kaluarën ata nuk u janë përmbajtur udhëzimeve për të shmangur përdorimin e deklaratave nxitëse dhe gjuhën ëe urrejtjes.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç dhe sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, planifikonin që të merrnin pjesë në një debat me qytetarët në veri të Kosovës, rreth dialogut të brendshëm serb për Kosovën, të cilin e ka hapur vitin e kaluar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thirrur për sonte mbledhjen e Këshillit serb të Sigurisë, për shkak të situatës së krijuar në veriun e Kosovës.

Në mbrëmje, Marko Gjuriç, u dëbua nga Kosova për në Serbi

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Thaçi: Rasti i Gjuriçit nuk duhet të cenojë komunikimin me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje për qetësi, ndërsa vlerësoi se policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe përgjegjësitë e saj.

“Marko Gjuriç ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se është njoftuar nga organet përgjegjëse dhe Marko Gjuriç ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.

Lista serbe paralajmëron largimin nga qeveria e Kosovës

Përfaqësuesit e Listës serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, miratuan të hënën në mbrëmje “nismën për largimin nga qeveria e Kosovës”.

Në njoftimin e kësaj liste thuhet se “kjo është një ditë e rëndë për serbët në Kosovë në të cilën është parë më së miri fytyra e institucioneve të Kosovës. Në mënyrë brutale, me plumba në tytë, me shok-bomba dhe me goditje brutale mbi gratë dhe burrat janë sulmuar dhe rrahur përfaqësuesit e ligjshëm të popullit serb, ministra, drejtorë të zyrave, deputetë dhe kryetarë komunash”.

Sipas kësaj liste dialogu në këso rrethanash, nuk ka kurrfarë kuptimi.

“Serbia ta kuptojë se ky vend ka zot shtëpie”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Mitrovicën e Veriut.
Veseli ka thënë se shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë.

“Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Facebook.

“Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë”, ka thënë Veseli.

“Për aq sa ata janë korrekt ne do të jemi korrekt. Nuk na është dashtë dita e sotme, por zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoritete shtetërore kosovare”, është shprehur ai.

“Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por vullneti duhet të jetë i dyanshëm”, ka deklaruar Veseli.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie që të jenë të qetë dhe të mos nxiten nga asnjë lloj provokimi”, ka porositur ai. /Express/

SHKARKO APP