Kosova jep sërish shembull – Ndalon komisionet për pagesat kombëtare me kartë

Është fakt i njohur që ekonomia shqiptare ka përdorim tejet të lartë të parasë cash dhe 96% e pagesave nga konsumatorët dhe bizneset shlyhen në para fizike. Me alternativat që ofron sot teknologjia e pagesave, është domosdoshmëri nxitja e pagesave elektronike, që do të ulnin kostot e larta dhe risqet që vijnë nga përdorimi i madh i parasë cash. Megjithatë, deri tani qasja e institucioneve shqiptare në drejtim të nxitjes së pagesave elektronike është shumë e plogësht.

Institucionet e vendeve fqinje po shfaqin një qëndrim më aktiv në këtë drejtim dhe shembulli më i ri vjen nga Kosova. Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur të ndalojë aplikimin e kostove për kryerjen e pagesave me kartë në pikat elektronike të shitjes ose terminale POS. Duke filluar nga data 1 shkurt e këtij viti, bankave iu ndalohet të aplikojnë kosto shtesë, edhe në rastet kur blerjet me kartë bëhen në terminale POS të bankave të tjera. Rregullorja për instrumentet e pagesave elektronike, që do të hyjë në fuqi në fillim të muajit të ardhshëm, synon kështu të bëhet një nxitë si përdorimit të pagesave elektronike në vend.

Në vitet e fundit, Banka Qendrore e Kosovës po shfaqet një qasje mjaft aktive, si në funksionet e veta rregullatore, ashtu edhe në ato mbikëqyrëse. Vitin e kaluar, ky institucion iu hoqi licencat kompanisë së sigurimeve Insig dhe dy institucioneve të kredidhënies, Iute Credit dhe Monego.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në fakt, pjesa më e madhe e bankave në Shqipëri nuk aplikojnë komisione për pagesat me kartë brenda territorit të Shqipërisë, qoftë edhe kur kryhen në terminalet POS të bankave të tjera. Megjithatë, në parim qasja rregullatore e ndjekur nga Kosova tregon se kostot e lidhura me pagesat mund të jenë objekt rregullimi, në përputhje me praktikat më të mira të ndjekura nga Bashkimi Europian.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?