Kosova ka bërë një rrugë të gjatë
Financial Times ka publikuar një editorial nga ushtruesi i detyrës së Ministrit të Jashtëm të Kosovës Petrit Selimi.
Nga Petrit Selimi
Analiza e Sër Tony Barber për situatën politike në Kosovë (“Perëndimi e sheh kaosin e Kosovës me përzierje të dëshpërimit dhe shqetësimit”, Global Insight, 2 mars) është lexim i vështirë, por nuk e pikturon tablonë e plotë. Kosova festoi tetë vjetorin e pavarësisë së saj dy javë më parë, dhe sipas standardeve të çdokujt ne kemi bërë një rrugë të gjatë në këto tetë vite të shkurta.
Rreth 111 vende e kanë njohur pavarësinë tonë, edhe përkundër armiqësisë së vazhdueshme dhe për të ardhur keq të Serbisë dhe Rusisë ndaj nesh. Ish-armiqtë tanë kanë arritur të vonojnë qasjen e Kosovës në organizatat botërore arsimore dhe shkencore, të tilla si UNESCO-s, me ndihmën e Koresë së Veriut dhe regjimit të Bashar al-Assad, që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në këto organizata. Me gjithë këtë që u tha, Kosova ka vazhduar dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në, marrëveshjen tonë të parë formale politike dhe tregtare të para-anëtarësimit me Brukselin. Kosova gjithashtu është bërë një komb olimpik dhe do të garojë për herë të parë këtë verë në Lojërat Olimpike të Rios.
Qeveria jonë gjithashtu është lavdëruar për qëndrimin e saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe kontributin në koalicionin botëror kundër ISIS. Sekretari amerikan i shtetit John Kerry vuri në dukje në vizitën e tij të fundit në Kosovë se kosovarët janë udhëheqës rajonal në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe në promovimin e dialogut ndërfetar.
Natyrisht, ne duam që ritmi i ndryshimit të jetë më i shpejtë. Edhe pse kemi shënuar rritjen më të lartë mesatare të bruto produktit vendor në Ballkanin Perëndimor gjatë tetë viteve të shkuara, ne duhet të bëjmë më shumë në pikat tjera të agjendës evro-atlantike. Më vonë këtë muaj, Komisioni Evropian do të dërgojë një ekip në Prishtinë për të, ne shpresojmë dhe presim, konfirmuar se kemi përmbushur tetë kriteret e mbetura nga 95 të nevojshme për të fituar udhëtimin pa viza në BE. Ne gjithashtu shpresojmë se samiti i ardhshëm i NATO-s në Varshavë do t’i sigurojë kosovarët për vendin dhe rolin që u takon me të drejtë, në arkitekturën e sigurisë së Evropës.
Por, për të zbatuar agjendën tonë ambicioze politike dhe ekonomike, ne kemi nevojë për mbështetjen e aleatëve tanë në Evropë dhe SHBA. Njerëzit tanë kanë nevojë të dinë se ata nuk janë harruar nga udhëheqësit evropianë në Bruksel, Berlin dhe Londër, dhe se perspektiva jonë evropiane, dhe anëtarësimi i mundshëm në BE dhe NATO, është real.
Përveç liberalizimit të vizave, është me rëndësi për të ardhmen e Kosovës, që popullatës tonë të re dhe të arsimuar t’i jepet qasje në tregjet dhe programet e politikave të BE-së, si dhe në instrumentet ndërkombëtare shumëpalëshe. Zgjedhja e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, si president i Kosovës në Kuvendin tonë Kombëtar të premten e kaluar ishte vitale për procesin demokratik. Demokracia dhe procesi i rregullt i Kuvendit kurrë nuk duhet të munden me koktej molotovi dhe sulme me gaz lotsjellës.
Interesave të vendit tonë më së miri i shërbehet duke qenë një anëtar i plotë dhe aktiv i komunitetit ndërkombëtar dhe duke vazhduar rrugën e integrimit evropian. Progresi i Kosovës nuk do të mbahet peng nga nacionalistët në Serbi dhe Kosovë, obsesioni i të cilëve me konfliktet e të kaluarës dhe diskursin etnik do të mund ta çorientonte të ardhmen tonë.