Kosova në listën e vendeve të sigurta të Bashkimit Evropian

Parlamenti Evropian ka dhënë dritën jeshile për një sërë ndryshimesh të rëndësishme në kuadër të reformës së sistemit të përbashkët evropian të azilit. Një nga risitë kryesore është krijimi i një liste të vetme në nivel të Bashkimit Evropian, ku përfshihen vendet e origjinës që konsiderohen të sigurta. Kjo listë synon të unifikojë qasjen e shteteve anëtare ndaj kërkesave për azil dhe të përshpejtojë procedurat për aplikantët që vijnë nga këto vende.

Në mesin e shteteve të përfshira në këtë listë ndodhet edhe Kosova, së bashku me Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë. Përfshirja në këtë listë nënkupton se qytetarët e këtyre vendeve, kur aplikojnë për azil në një nga shtetet anëtare të BE-së, do të trajtohen mbi bazën e prezumimit se vendi i tyre i origjinës është i sigurt. Si rrjedhojë, kërkesat e tyre do të shqyrtohen përmes një procedure të përshpejtuar, e cila në shumicën e rasteve çon në refuzim me arsyetimin se janë “qartazi të pabaza”.

Me rregullat e reja, përgjegjësia për të provuar të kundërtën i takon vetë azilkërkuesit. Ai duhet të dëshmojë se, pavarësisht vlerësimit të përgjithshëm për sigurinë e vendit të tij, në rastin personal ekziston një frikë e arsyeshme për persekutim ose rrezik real për dëmtime serioze nëse kthehet në atdhe. Gjithashtu, vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE do të konsiderohen, në parim, si vende të sigurta origjine, përveç nëse rrethana të veçanta dëshmojnë të kundërtën.

Swiss Digital Desktop Reklama

Këto ndryshime pritet të hyjnë në fuqi pas miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së dhe planifikohet të zbatohen duke filluar nga qershori i vitit 2026, si pjesë e reformës së gjerë të politikave evropiane për migracionin dhe azilin.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?