Kosova në ngërç institucional, “Serbs for Trump” mobilizohet në SHBA – aktivitet politik në Dallas
Kosova vazhdon të mos ketë institucione të reja pas zgjedhjeve të qershorit, me president në detyrë, pa kryetar të ri të Kuvendit, me kryeministër në detyrë dhe me shumë ushtrues detyre në borde, agjenci dhe institucione të ndryshme të pavarura.
Në këtë situatë, një nga temat kryesore është nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të reja për shkak të mos zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, shkruan Telegrafi.
Përgjegjësia për krijimin e institucioneve bie mbi liderët e partive politike, të cilët deri më tani nuk kanë arritur të ndërtojnë besim mes tyre dhe të gjejnë kompromisin e nevojshëm për tejkalimin e ngërçit politik. Një situatë e tillë po i shkakton dëm Kosovës, si në imazhin e saj, ashtu edhe në zhvillimin ekonomik dhe në fusha të tjera.
Në ndërkohë, është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë institucione funksionale dhe një president të ri, i cili, krahas kompetencave të tjera kushtetuese, përfaqëson vendin edhe në politikën e jashtme.
Diplomacia dhe avokimi janë veçanërisht të rëndësishme për Kosovën në këtë periudhë, si në raport me shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, ashtu edhe në qendrat kryesore të vendimmarrjes ndërkombëtare, veçanërisht në Washington dhe Bruksel, ku merren vendime të rëndësishme edhe për proceset integruese të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Përderisa vendi nuk ka institucione plotësisht funksionale, edhe përfaqësimi dhe avokimi i Kosovës në këto qendra mbeten më të brishta. E gjithë kjo po ndodh në një periudhë zhvillimesh të mëdha gjeopolitike, nga agresioni rus në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës, deri te tensionet që lidhen me Iranin dhe sfida të tjera që mund të shfaqen.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara po hyjnë në një periudhë të rëndësishme politike për shkak të zgjedhjeve afatmesme (midterm elections), të cilat do të përcaktojnë edhe balancat e reja politike në Washington.
“Republican Serbs” organizon aktivitet në Dallas
Derisa Kosova po përballet me mundësinë për të shkuar në zgjedhje të reja, organizata “Republican Serbs”, përmes iniciativës “Serbs for Trump”, ka paralajmëruar një aktivitet politik më 9 shtator 2026, nga ora 17:00 deri në 19:00, në Frankie’s Downtown në Dallas të Teksasit.
Sipas faqes zyrtare të organizatës, aktiviteti zhvillohet në kuadër të “RNC Week 2026” dhe synon mobilizimin politik të komunitetit serbo-amerikan për zgjedhjet afatmesme.
The Serbs for Trump organization is bringing Republicans from across the US together in Dallas, Texas, for a convention during RNC week.
Among the notable guests are Florida Governor Ron DeSantis, Byron Donalds, Anna Paulina Luna, Claudia Tenney, Abe Hamadeh and Richard Grenell. pic.twitter.com/bFp7C8XgeA
— The National Independent (@NationalIndNews) August 30, 2026
Organizatorët e lidhin aktivitetin me synimin për të ruajtur shumicën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, për ta rritur atë në Senat dhe për të mobilizuar familjet serbo-amerikane në zonën metropolitane të Dallasit. Në mesin e temave të promovuara janë edhe siguria kufitare, dominimi energjetik dhe zgjedhja e shkollës.
Në faqen e organizatës është publikuar edhe një listë e personaliteteve politike të ftuara, duke u sqaruar se pjesëmarrja e tyre varet nga agjenda.
Në mesin e tyre janë Richard Grenell, ish-drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, kongresistët Claudia Tenney, Abe Hamadeh dhe Anna Paulina Luna, si dhe prokurori i përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton.
Në listë figurojnë gjithashtu guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, Byron Donalds dhe Michael Alfonso.
Aktiviteti do të drejtohet nga Aleksandar Sasha Jovicic, drejtor i “Serbs for Trump / Republican Serbs”. Në faqen e organizatës, “Serbs for Trump” prezantohet si partner prej dhjetë vjetësh i koalicionit të Donald Trumpit.
Nga Muhamet Hajrullahu
KOHA JONË SONDAZH

