Kosova në një moment sprove, kryeministri Hoti: Nuk e komentojmë Gjykatën Speciale

Qeveria e Kosovës mendon se vendi ndodhet në një moment sprove me largimin e presidentit të saj, Hashim Thaçi, dhe me shoqërimin për në Hagë të disa ish-eksponentëve të lartë të shtetit.

Kryeministri, Avdullah Hoti, mblodhi të premten kabinetin e tij për të diskutuar akuzat për krime lufte ndaj Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimit.

Hoti tha se stabiliteti i institucioneve do të ruhet, ndërsa për vendimet e Gjykatës Speciale, udhëzoi që të mos komentohen e të respektohet parimi i ndarjes së pushteteve.

“Në Qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë si të sillemi për t’i ndihmuar ligjërisht personat që janë përfshirë në këtë situatë.”

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, aludoi se akuzat ndaj shtetarëve të Kosovës janë nxitur nga Serbia dhe kanë për synim dobësimin e pozitës politike dhe ndërkombëtare të vendit.

Politikani i AAK-së kërkoi masa ndaj Beogradit dhe më tepër transparencë nga Gjykata Speciale.

“Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë dialogun deri në një moment tjetër. Qeveria e Kosovës është për vendosjen e drejtësisë, por gjykata duhet qartë të sqarojë se është gjykatë e Kosovës e nuk operon me “prova” të Serbisë.”

Të premten forcat e misionit europian “EULEX” bastisën shtëpitë e presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Veselit dhe kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Selimit.

Pak orë më herët, ata dhe Jakup Krasniqi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, ku pritet të dëshmojnë mbi pretendimet për krime lufte, torturat dhe vrasjet e kryera gjatë luftës çlirimtare të Kosovës midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Me ndalimin e Thaçit, presidenca e vendit i është besuar kryeparlamentares Vjosa Osmani.

Gjatë homazheve tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Osmani përsëriti gatishmërinë për të unifikuar skenën politike në kuadër të zhvillimeve të fundit.

SHKARKO APP