Kosova, në prag të krijimit të qeverisë, pritshmëri të larta qytetare

Nga Prof. Lisen Bashkurti –
Me 6 tetor 2019 Kosova bëri zgjedhjet e parakohshme politike. Për arsye teknike dhe ligjore të arsyeshme, rezultati u certifikua me 27 nëntor. Nga fundi nëntorit deri më datë 26 dhjetor 2019, konstitucionalisht është afati kohor për tu konstituar Kuvendin e, zgjedhjen e Kryesisë, Kryetarit, grupeve parlamentare dhe më pas të Qeverisë. Ndërkohë, kanë vazhduar negociatat midis dy forcave kryesore fituese të dala nga vota popullore, VV dhe LDK. Pak ditë më parë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, deklaroi sot se qeveria e re do të formohet së shpejti.
Gjatë kësaj periudhe, media dhe burime të ndryshme jashtë negociatore kanë ushqyer opinionin politik dhe publik të Kosovës, Shqipërisë dhe atë ndërkombëtar me opsione, skenare dhe altërnativa nga më të ndryshmet, e herë-herë nga më të cuditshmet. Ajo cka bie në sy është fakti, se shumica e analistëve dhe opionistëve, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri, flasin pa marrë parasysh, për arsye mos njohje ose të tjera, procedurat kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, organeve të tij dhe të qeverisë së re.

1. Cdo gjë brënda afateve dhe procedurave kushtetuese
Referuar Kushtetutës së Kosovës, është Presidenti, i cili e thërret seancën konsituive të Kuvendit pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Sic dihet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka certifikuar më 27 nëntor rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 6 tetor 2019. Duke u bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja ka 28, PDK-ja 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD 13 deputetë, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë. Ndërkaq, nga komunitetet e pakicave, Lista Serbe ka 10 deputetë, ndërsa të gjitha partitë e pakicave jo serbe së bashku kanë fituar 10 vende. Gjithësejt, Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, prej të cilëve 20 vënde janë të rezervuara për komunitetet pakicë, respektivisht, 10 vënde për komunitetin serb dhe po aq vënde për komunitet tjera pakicë.
Referuar Nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, parashihet edhe procedura e konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve. Në këtë nen përcaktohet se Kuvendi i RK zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive të tij. Kryetari dhe Kryesia e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, në pajtueshmëri me legjislacionin relevant në fuqi, duhet të përgatisin propozimin e rendit të ditës për mbledhjen e parë të përbërjes së re të Kuvendit. Në seancën e parë konstituohet Kuvendi, zgjidhet kryesia, Kryetari i legjislaturës së gjashtë, si dhe grupet parlamentare.
Nëse nuk arrihen votat e nevojshme nuk mund të konstituohet Kuvendi, cka parakupton mos arritjen e marrëveshjes së palëve fituese të zgjedhjeve. Në rastin e dhënë VV dhe LDK duhet të arrijnë marrëveshjen, që të kenë 61 vota për të zgjedhur kryetarin, kryesinë dhe grupet parlamentare. Pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti cakton mandatarin për formimin e qeverisë, në rastin e dhënë Albin Kurti, i cili lypet t’i kthejë përgjigjen Presidentit, se mund të krijojë qeverinë, athere mbahet seanca përkatëse dhe që të zgjidhet qeveria. Nëse mandatori nuk mundet t’i bëjë 61 deputetë për herën e parë, atëherë Kushtetuta thotë se mundet edhe një herë t’i ri-kthehet sërish mandati nga Presidenti për 10 ditët e tjera në vijim. Nësë, sërish mandatari nuk arrin të formojë qeverinë, brënda 40 ditëve në vazhdim vëndi shkon në zgjedhjet e reja, të parakohëshme. Deri tani, cdo gjë shkon në përputhje me parashikimet kushtetuese.

2. Negociata parimore, jo pazare postesh e funksionesh
Procesi i negociatave midis VV dhe LDK deri tani duket që të ketë qënë parimorë, dhe jo pazarë, sic kemi parë dhe dëgjuar nga përvojat e mëparshme në Kosovë, por jo vetëm. Të dy liderët, Albin Kurti (VV) dhe Isa Mustafa (LDK) janë treguar të matur dhe të vetëpërmbajtshëm në deklarimet, qëndrimet dhe veprimet e tyre. Këtu, që të mos gabojmë, lypet të mos konfundojmë negociatat reale, që burojnë nga faktorët brënda negociatorë, nga komentet, opinionet dhe analizat e faktorëve jashtë negociatorë. Deri tani nga faktorët brënda negociatorë, në mënyrë të dakordësuar, është deklaruar së është arritur marrëëveshja principale për të krijuar qeverinë së bashku. Pra, nuk ka, parimisht, asnjë shkak për të mos bashkëqeverisur.
Së pari, principaliteti për bashkëqeverisje VV-LDK buron parasëgjithash nga vota popullore, e cila ka zgjedhur VV dhe LDK për të qeverisur vëndin, dhe, nga ana tjetër, për të kaluar në opozitë, partitë e krahut të luftës, PDK, AAK, Nisma, të cilat e kanë qeverisur Kosovën prej shumë vitesh. Mbështetja popullore ka ‘vulosur’ bashkëqeverisjen VV-LDK. Kjo është principale dhe askush nuk guxon ta injorojë apo ta shkelë atë, sepse bie legjitimiteti votës qytetare.
Së dyti, marrëveshja e deritanishme midis VV dhe LDK duket të jetë principale dhe jo pazare, për faktin se palët janë dakordësuar të zvogëlojnë qeverinë në 12 ministri, pra afro gjysëm për gjysëm. Ky zvogëlim i qeverisë, është modeli i Xhorxh Uashingtonit, i cili deklarohej për “limited and no money government”, pra për “qeveri të vogël dhe me shpenzime minimale”. Duke zvogëluar qeverinë, VV dhe LDK, kanë të bërë të kundërtën e qeverive pararadhëse të Kosovës, që kanë qënë të stërmëdha dhe me shumë shpenzime. VV dhe LDK, me zvogëlimin e qeverisë kanë treguar qartësisht se, marrëveshja e tyre nuk është pazarë postesh dhe benifitesh personale e politike, që do kërkontë vazhdimin e në mos rritjen e një qeverie të madhe, si të parardhësit e tyre, por është marrëveshje parimore për qeverisje të mirë, të vogël dhe ekonomike. Kjo reformë strukturore e qeverisë do ketë disa vlera të mëdha si janë: reduktimi i burokracisë shpenzuese, pastrimi i administratës publike qëndrore nga politizimi, paaftësia, nepotizmi e krahinarizmi; dhënia fund e rekrutimeve në administratë publike bazuar në ‘shpërblime partiake’; vënia e administratës mbi baza karriere meritokratike, profesionale, me procedura transparente dhe konkurruese.
Së treti, marrëveshja midis VV dhe LDK duket të jetë principale edhe për prioritetet kryesore ku palët janë dakodësuar për programin e qeverisjes. Caktimi i prioriteteve të unifikuara nga dy palët është me rëndësi thelbësore për mirëqeverisjen e vëndit. Kjo nuk ka qënë e lehtë. Duke pasur parasysh se VV dhe LDK kanë ndryshime në filozofinë politike, në altërnativën ekonomike si dhe përvojat qeverisëse. Prioritetet qeverisëse i kanë artikuluar politikisht dhe publikisht të dy palët. Paradokohe, në një takim me përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi, Albin Kurti theksoi në mënyrë të përvijuar se “prioritet i kësaj qeverie është punësimi dhe drejtësia”. Pra, qeveria e re, VV dhe LDK do i kthehet agjendës qytetare, që është zgjidhja e problemeve ekonomike e sociale me të cilat përballen qytetarët e Kosovës dhe forcimi i shtetit ligjor, ose sundimi i ligjit, në luftë me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Së katërti, marrëveshja e dakordësuar midis VV dhe LDK duket që të ketë arritur në qëndrime të përbashkëta në politikën e jashtme të Kosovës. Në këtë aspekt, është thelbësore që VV dhe LDK duket të kenë unifikuar qëndrimet për vijimin e dialogut me Serbinë sic janë: përpilimi i kuadrit të parimeve negociuese, si reciprociteti, pacënueshmëria e pavarësisë, sovranitetit, tërësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Palët, gjithashtu, janë mjaft të përafruara që në platformën e negociatave të kërkojnë nga Serbia kërkim falje për krimet dhe genocidin e bërë mbi popullin shqiptar në Kosovës, gjetjen e viktimave, të humburve dhe kthimin e tyre në Kosovë, reparacionet për dëmet ekonomike përpara dhe gjatë luftës 1998-1999, zgjidhjen e problemit të pensioneve dhe kontributeve të tjera të qytetarëve të Kosovës nga koha e Jugosllavisë, Unionit Serbi-Mal i Zi dhe të Serbisë përpara vitit 1999, e cështje të tjera teknike me interes shtetëror dhe qytetar.
Me shumë rëndësi është që VV dhe LDK janë deklaruar vec e vec, por edhe së bashku që procesi i negocimit me Serbinë të kalojë përmes një procedure kushtetuese, demokratike, pra të miratohet në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe plotësisht transparente. Këtë proces, sikundër janë deklaruar palët do ta udheheqë Qeveria e Kosovës, pra Kryministri i pritshëm, Albin Kurti dhe jo Presidenti Thaci. Ky ndryshim thelbësor në udhëheqjen e negociatave, është në fakt, rikthimi i politikës së jashtme në binarët kushtetues, sipas të cilit, në Kosovë është Qeveria institucioni legjitim për ta udhëhequr atë.
Natyrisht parashtrimi mësipërm është principal, sepse programi i qeverisë së re të Kosovës, ngelet për tu parë e konsideruar plotësisht mbas paraqitjes dhe miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës. Sikundër, aspekte të tjera informale të negociatave, dëndurisht të përfolura në media, sic është zgjedhja në parim e Presidentit të ardhshëm Kosovës në 2021 nga radhët e LDK, janë jashtë kontekstit aktual formal-kushtetues. Deri tani, nga VV dhe LDK, duket se janë përvijuar stategjia e përbashkët, prioritetet kryesore, struktura dhe parimet qeverisëse, të cilat japin shpresë se pritshmëritë e larta të qytetarëve të Kosovës për Qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e 6 teorit 2019 do të përmbushen më së miri.

SHKARKO APP