Kosova në zgjedhje brenda 18 qershorit. Të shtyhen zgjedhjet në Shqipëri

Sot Parlamenti i Kosovës vendosi rrëzimin e qeverisë së Kryeministrit Isa Mustafa. Me votimin e  mocionit të mosbesimit, Partia Demokratike e Kosovës i dha fund koalicionit qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas 3 vitesh bashkëqeverisje. Me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi votoi mocionin për qeverinë “Mustafa”, prodhim i një krize paszgjedhore të vitit 2014.

Sipas Kushtetutës së Kosovës vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve. Pas vendimit të Kuvendit, Presidenti Hashim Thaçi do të nis sot dhe nesër konsultimet e me partitë politike për caktimin e datës për zgjedhjet e parakohshme. Sipas ligjit, zgjedhjet duhen mbajtur brenda 45 ditëve nga rrëzimi i qeverisë. Gjë që do të thotë se qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të drejtohen në kutitë e votimit brenda muajit qershor. Data e zgjedhjet në Kosovë pritet të caktohet afër datës së zgjedhjeve në që janë parashikuar në Shqipëri, 18 qershorit. Praktikisht dy shtetet shqiptare në rajon pritet të zhvillojnë fushatë në të njëjtën kohë.

Në Kosovë zgjedhjet e parakohshme vijnë si tentativë për zgjidhjen e një krizë politike, ndërsa në Tiranë zgjedhjet e 18 qershorit pritet të prodhojnë një krizë edhe më të thellë politike.

Praktikisht Shqipëria është në krizë me mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Me këtë skenar pa opozitë, pas 18 qershorit Shqipëria mund të ketë një krizë edhe më të madhe politike në vend.

Edhe pse dy shtete të ndryshme, krizat politike në vend shpesh herë kanë “infektuar” zhvillimet politike në dy vendet. Fushata zgjedhore në Kosovë nuk do të jetë e lehtë dhe pritet të shkaktojë jo pak tensione, për shkak edhe të çështjeve me interes kombëtar siç është demarkacioni me Malin e Zi dhe qëndrimi për bisedimet me Serbinë. Kosova ndodhet në një moment kryesor të forcimit të institucioneve dhe demokracisë së saj.

Ndërkohë Shqipëria është vendi kush Prishtina gjithmonë ka kërkuar mbështetje në sfidat që ka shteti i ri i Kosovës. Por në momentin kur Shqipëria është në një krizë të thellë dhe po hyn në një palë zgjedhje të kontestuara që në fillim, Tirana duhet të mendoj jo vetëm për stabilitetin e saj, por edhe pak më tej. Është koha që lufta politike në Tiranë të shihet dhe për pasoja që prodhon tek gjithë shqiptarët në rajon. Destabiliteti këtu do të sjellë dhe përhapje të tensionit të gjithë shqiptarët.

Ndaj në këtë situatë është koha që klasa politike në Shqipëri të mendojë seriozisht për zgjidhjen e krizës politike. Konsensusi duhet arritur me çdo çmim. Shtyrja e zgjedhjeve përtej 18 qershorit, në situatën e një prag konflikti ku ndodhet vendi, është kostoja më e vogël për zgjidhjen e kësaj krize.

SHKARKO APP