Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit dhe as e Lëvizjes Vetëvendosje!

-Koment i KOHA JONË-

Institucionet e Republikës nuk mund të mbahen peng derisa një parti të gjejë formulën politike që i garanton pushtetin që dëshiron. Kjo duhet thënë qartë: Albin Kurti po vendos interesin politik të LVV-së përpara nevojës së Kosovës për institucione funksionale. Dhe kjo nuk është më thjesht taktikë politike. Është papërgjegjshmëri ndaj shtetit. Kurti drejton forcën më të madhe politike dhe kërkon të vazhdojë të qeverisë vendin. Atëherë ai ka edhe përgjegjësinë kryesore për të prodhuar zgjidhje.

Nëse i ka votat, le t’i krijojë institucionet. Nëse nuk i ka, le të negociojë. Nëse negociatat kërkojnë kompromis, le ta bëjë kompromisin. Por Kosova nuk mund të presë pafund derisa realiteti parlamentar t’i përshtatet Vetëvendosjes. Kosova është shtet, jo seli partie. Ka Kushtetutë. Ka Kuvend. Ka qytetarë. Ka ekonomi. Ka marrëdhënie ndërkombëtare. Ka probleme që nuk mund të presin hesapet politike të LVV-së. Albin Kurti ka ndërtuar një pjesë të madhe të karrierës duke akuzuar kundërshtarët se vendosnin partinë mbi shtetin. Sot rrezikon të bëjë pikërisht atë që ka denoncuar. Fituesi i zgjedhjeve nuk merr vetëm privilegjin e fitores. Merr edhe barrën e përgjegjësisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nuk mund të kërkosh pushtetin dhe, kur nuk i ke numrat, t’ua lësh fajin gjithmonë të tjerëve. Politika demokratike është e thjeshtë: Propozo. Voto. Fito ose humb. Nëse humb, negocio. Por mos e blloko Republikën.

Swiss Digital Mobile Reklama

PDK, LDK, AAK dhe partitë e tjera kanë pa dyshim interesat e tyre politike. Edhe opozita duhet të tregojë përgjegjësi. Por kjo nuk e heq përgjegjësinë e forcës së parë politike. Ai që kërkon të drejtojë Kosovën duhet të jetë i pari që sakrifikon interesin partiak kur ai përplaset me interesin shtetëror. Kosova nuk e ka luksin e krizave të pafundme. Nuk mund të mbetet pa institucione funksionale sepse partitë nuk bien dakord për poste. Kompromisi nuk është dobësi. Tërheqja nga një pozicion maksimalist nuk është kapitullim. Është demokraci. Dhe pikërisht këtu ndahet politikani nga shtetari. Politikani pyet: “Çfarë fiton partia ime?” Shtetari pyet: “Çfarë humbet vendi im?” Sot Albin Kurti duhet t’i bëjë vetes pyetjen e dytë. Sepse Republika është më e madhe se ai. Më e madhe se Vetëvendosje. Më e madhe se çdo post dhe çdo kalkulim parlamentar. Institucionet nuk janë monedhë shkëmbimi. Kuvendi nuk është peng. Kosova nuk është tavolinë pazari. Prandaj Kurti duhet ta çojë procesin përpara.

Le të paraqesë kandidaturat!

Le të kërkojë votat. Le të negociojë. Le të bëjë kompromis. Dhe, nëse nuk arrin shumicën, le ta pranojë realitetin parlamentar. Kosova nuk i ka borxh Albin Kurtit një shumicë. Por Albin Kurti i ka borxh Kosovës përgjegjësinë për të mos e mbajtur të bllokuar. Në një moment duhet të marrin fund justifikimet. Ky moment ka ardhur. Kosova mbi Kurtin. Kosova mbi Vetëvendosjen. Kosova mbi çdo parti.

Albin Kurti po humbet elektorat, po humbet emrin, po humbet gjithçka për t’i fituar të gjitha pushtetet.

Më saktë, ai po shpërfytyron Kosovën për hir të karrikes së tij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?