Kosova pa president të zgjedhur, detyra kalon përkohësisht te Albulena Haxhiu
Kosova ka hyrë në një fazë të re institucionale, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani ka përfunduar zyrtarisht, duke i kaluar përkohësisht kompetencat kryeparlamentares Albulena Haxhiu.
Ceremonia e dorëzim-pranimit u zhvillua në ambientet e Presidencës, ku Haxhiu i dorëzoi lule Osmanit në një akt simbolik. Në një reagim publik, Osmani vlerësoi pesë vitet në detyrë si një rrugëtim të përbashkët me qytetarët dhe bashkëpunëtorët, duke i falënderuar për mbështetjen dhe kontributin ndaj vendit.
Megjithatë, përfundimi i mandatit të saj vjen në një klimë të paqartë politike. Përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri kanë ngecur për shkak të mungesës së konsensusit mes forcave politike. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për kandidatët e saj, ndërsa opozita kërkon një figurë gjithëpërfshirëse.
Në këtë situatë, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar takime me drejtuesit e partive kryesore opozitare për të gjetur një zgjidhje. Nëse deri në fund të muajit nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
KOHA JONË SONDAZH

