Kosova para zgjedhjeve të reja, KQZ jep alarmin e mungesës së fondeve
Në Kosovë filluan konsultimet politike për mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se Qeveria Hoti u zgjodh në mënyrë jokushtetuese. Qeveria e tanishme do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e të resë, por në vend ka lindur debati nëse kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti do të lejohet të kandidojë, pasi edhe ai është dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.
Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare jo për shkak të postit të presidentit siç pritej, por për shkak të mënyrës së zgjedhjes së qeverisë së Avdullah Hotit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani filloi konsultimet me përfaqësuesit politikë për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, të cilat njoftohet se do të zhvillohet veç e veç. I pari që i shkoi në zyrë Osmanit ishte lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Osmani ka thirrur në takim të martën përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa të mërkurën janë paralajmëruar takime me subjektet e tjera politike.
Gjykata Kushtetuese vendosi më 21 dhjetor se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo për shkak të votës së deputetit Ethhem Arifi, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencionet”, prej një vit e tre muaj burgim. Ai aktualisht është duke vuajtur dënimin.
Kandidimi për deputet i personave që kanë probleme me drejtësinë mbetet një çështje që kërkon zgjidhje për të ardhmen. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregon si do të veprojë ky institucion për të parandaluar në të ardhmen kandidimin për deputetë të personave që mund të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë gjatë 3 viteve të fundit.
“KQZ-ja do të shohë të gjitha obligimet që dalin nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht se KQZ-ja do të zbatojë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenin 29 të këtij ligji i cili flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Modalitetet do të saktësohen nga ana e KQZ-së gjatë procesit zgjedhor”, tha Elezi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka hapur debatin publik në vend, nëse në zgjedhjet e ardhshme do të lejohet kandidimi i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe anëtares së kryesisë, Albulena Haxhiu.
Vetë Lëvizja Vetëvendosje thotë se vendimi nuk do të ketë ndikim, por si zoti Kurti ashtu dhe zonja Haxhiu janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.
Në vendimin e 21 dhjetorit, Kushtetuesja argumentoi se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Sfidë tjetër është buxheti për organizimin e zgjedhjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për organizimin e këtij procesi zgjedhor, por ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën kur ndodhin zgjedhje të paplanifikuara, KQZ përgatit kërkesën buxhetore të cilën e dërgon në Qeverinë e Kosovës për miratim,” shton zëdhënësi i KQZ-së, Elezi.