Kosova të pezullojë bisedimet me Serbinë pas dështimit në UNESCO
Dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO gjatë ditës së sotme ka nxitur reagime të shumta për atë se a ka apo jo kuptim më dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dialog ky që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Për njohës të rrethanave politike në vend, ky dialog i nisur tash e katër vjet më parë, përveç që ka dështuar të japë rezultate për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, tashmë po shfaq edhe një dështim tjetër të tijin, pasi që Serbia sa herë që Kosova merr hapin për t’u bërë pjesë e mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtar shfaq pengesa dhe kundërshtime.
Analisti politik Arben Ahmeti tha për KosovaPress se nga dialogu me Serbinë ishin premtuar tri rezultate: normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy palëve, integrimi i Kosovës në BE dhe i treti që Serbia nuk do të pengonte Kosovën në anëtarësimin e saj në mekanizma rajonal e ndërkombëtar. Asnjë nga këto rezultate sipas tij nuk është arritur dhe këto janë dështim i të tri palëve të përfshira në këtë dialog, dhe si rrjedhojë ky dialog më nuk ka kuptim të vazhdojë.
Ai konsideron se institucionet e Kosovës tashmë duhet ta rishikojnë këtë dialog dhe se pezullimi mbetet opsioni i cili po ashtu do ta zhbllokonte jetën institucionale në vend.
Për Dren Dolin nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO duhet të shërbejë si moment reflektimi tek lidershipi kosovar, në mënyrë që ata të ulen së bashku dhe të ndryshojnë Kosovën brenda saj.
Ai tha po ashtu tha se ngjarja e sotme është një arsye më shumë për t’i dhënë fund kësaj mënyre të dialogut.
Kosova sipas Dolit më nuk ka asnjë kuptim që të fokusojë tërë potencialin e saj në dialogun me Serbinë dhe krahasimi i Kosovës me të ashtuquajturin Shteti Islamik nga ana e liderëve serbë dëshmon se në këtë dialog më së paku mund të flitet për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Ndërsa Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për KosovaPress se tashmë Bashkimi Evropian duhet të marrë masa për të gjitha marrëveshjet e arritura e që nuk po zbatohen nga Serbia.
Ai mes tjerash deklaroi se në një situatë të tillë vendi nuk duhet të futet në marrëveshje të reja pa pasur një kuptim marrëveshjet aktuale.
Sot Kosova nuk ka arritur të marrë 95 vota nga shtetet anëtare të UNESCO-së për tu bërë pjesë e saj, duke marrë gjithsej 92 vota pro dhe 50 kundër. Politikanë të ndryshëm, kryesisht opozitarë, pas lajmit për dështimin e tentimit për anëtarësim në UNESCO, gjithashtu kanë kërkuar nga Qeveria që të ndërpresë bisedimet me Beogradin dhe t’i anulojë disa nga marrëveshjet e arritura deri tani.