Kosova triumfon me katër gola kundër Sllovakisë, sfidon Turqinë për të arritur Botërorin

Triumf historik për Kombëtarja e Kosovës në Bratislavë, ku “Dardanët” mposhtën Sllovakinë me rezultatin spektakolar 3-4, duke siguruar një biletë për në finalen e “play-off”-it të Botërorit 2026.

Sfida nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 6-të me anë të Martin Valjent, duke shfrytëzuar një moment përgjumjeje në mbrojtjen kosovare. Megjithatë, reagimi i Kosovës ishte i shpejtë dhe me personalitet. Në minutën e 21-të, Veldin Hoxha realizoi një gol të bukur për të barazuar shifrat, duke rikthyer besimin te skuadra.

Në fundin e pjesës së parë, një pakujdesi në prapavijë i kushtoi shtrenjtë Kosovës, pasi sllovakët gjetën sërish rrugën e rrjetës dhe shkuan në pushim me avantazhin minimal.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por pjesa e dytë foli tërësisht për “Dardanët”. Vetëm dy minuta pas rifillimit, në të 47-ën, Fisnik Asllani riktheu baraspeshën, duke ndezur shpresat për përmbysje. Presioni i Kosovës vijoi dhe në minutën e 60-të, Florent Muslija realizoi një supergol me një goditje të saktë, duke kaluar skuadrën në avantazh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dominimi kulmoi në minutën e 72-të, kur Ilir Hajrizi përfitoi nga një situatë në zonë dhe shënoi golin e katërt, që rezultoi vendimtar për fatin e takimit.Në minutat shtesë, David Strelec ngushtoi diferencën për Sllovakinë, por ky gol shërbeu vetëm për statistikë, pasi Kosova administroi deri në fund avantazhin.

Me këtë fitore të madhe, Kosova mban gjallë ëndrrën për një kualifikim historik në Botëror. Në finalen vendimtare të “play-off”-it, “Dardanët” do të përballen me Turqinë në Prishtinë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?