Kosovarët revoltohen me ekspozitën pro-serbe që do të çelet në Shqipëri

Mund të quhet një ekspozitë politike ajo që do të hapet në Galerinë Kombëtare të Arteve, më 17 shtator nga Auron Tare, e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në bashkëpunim me Ambasadën e serbe, si dhe konsullatën austriake të Shkodrës.

Fjala është për atë që historiografia serbe e ka cilësuar si një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e kombit serb. Bëhet fjalë për tetorin 1915, të Luftës së Parë Botërore, kur Mbretëria e Serbisë u sulmua prej ushtrive gjermane, austro-hungareze dhe bullgare. E mbetur pa rrugëdalje, një pjesë e Ushtrisë serbe u tërhoq nëpërmjet maleve të Shqipërisë. Gjatë marshimit njëmujor, mijëra ushtarë serbë vdiqën nga i ftohti, uria dhe sëmundjet, – shkruan Telegrafi.

“Historiografia serbe flet për rreth 200 mijë serbë të zhdukur në malet dhe moçalet shqiptare. Për shkak të humbjeve masive të jetëve, kjo tërheqje e Ushtrisë serbe nëpër Shqipëri konsiderohet si tragjedia më e madhe në historinë e kombit të tyre… Tërheqja e Armatave serbe nëpërmjet maleve shqiptare në dimrin e 1915 dhe kalvari i gjatë i këtij marshimi me një përfundim tragjik”, shkruan Tare në njoftimin për mediat.

Më tej ai thotë se “në këtë tërheqje tragjike ishte e gjithë familja mbretërore serbe, si dhe komandantët e ushtrisë serbe të cilët totalisht të shokuar nga sulmet e Ushtrisë gjermane dhe austriake kërkuan shpëtimin në malet shqiptare duke u tërhequr nga portet e Shëngjinit dhe Durrësit”.

“Një histori e cila nëpërmjet fotove mund të tregojë sadopak një dëshmi unikale të historisë së Luftës së Parë në trojet e Ballkanit”, thotë Tare.

Por, e vërteta është se kjo tërheqje bëhet nga tri drejtime, ku vriten e masakrohen shqiptarët kudo që serbët shkelin, – shkruan Telegrafi i Kosovës.

Një pyetje tjetër që mund të shtrohet nga mediat e Tiranës është: ç’punë ka një Agjenci Bregdeti me ekspozitat historike dhe diplomacinë? Dhe a është këshilluar MPJ për këtë event, sikurse e kërkon ligji për “Shërbimin e Jashtëm”?

SHKARKO APP