Kosovë dhe Serbi: Mosbashkëpunimi vazhdon të sjellë padrejtësi

Nga Marjana Ristic (BIRN)

“Haradinaj është Kosova” thuhej në sloganin në një pankartë ndërsa mijëra qytetarë të Kosovës, kryesisht veteranë të luftës, marshuan nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit të tyre Prishtinës, pavarësisht temperaturës minus 10 gradë Celsius të premten e kaluar.

Ata ishin mbledhur për të kërkuar lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe heroit guerilas të kohës së luftës Ramush Haradinaj nga paraburgimi në Francë, ku po mbahet pasi u arrestua në një urdhër arrestimi të Interpolit të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon atë për krime lufte.

Rreth 300 kilometra larg Prishtinës, në kryeqytetin serb Beograd, një shoqatë serbe e viktimave të luftës nga Kosova nxori një deklaratë ku i bën thirrje Francës dhe Serbisë të vazhdojnë me ekstradimin dhe ndjekjen penale të Haradinajt, duke thënë se “krimineli është në duart tuaja, veproni si duhet dhe vendosni drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre”.

Serbia dhe Kosova kanë këndvështrime të kundërta për konfliktin e viteve 1990 që shpërtheu pasi operacionet guerilase të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kërkonte pavarësi nga Beogradi, u përballën me ofensivën e forcave serbe, që rezultoi në konfliktin e përgjakshëm që pa dëbimin e një milion personave dhe vrasjen e rreth 13,000 të tjerëve.

Për shqiptarët e Kosovës, lufta ishte e drejtë, ndërsa Serbia dhe lideri i saj Sllobodan Millosheviç shkelën të drejtat e tyre për një dekadë. Serbët, nga ana tjetër, gjithashtu mendojnë se lufta e tyre ishte e drejtë – ata pretendojnë “atdheu mesjetar” i tyre u është marrë atyre në mënyrë të paligjshme nga një grup terrorist, ndërsa 250,000 serbët e Kosovës të mbetur u dëbuan.

Edhe pse lufta përfundoi pothuajse 18 vjet më parë, shumë pak është bërë për të sfiduar rrëfimet dominuese në të dy shoqëritë.

Komuniteti ndërkombëtare investoi shumë në përpjekjet e drejtësisë penale në të dy vendet, duke ngritur disa gjykata që do të trajtonin krimet e luftës, por ka arritur rezultate shumë të dobëta. Një gjykatë ndërkombëtare, dy misionet ndërkombëtare dhe gjykata lokale arritën të përfundonim vetëm 20 a më shumë çështje që kishin lidhje me konfliktin në Kosovë.

Shqetësues është gjithashtu fakti se në vitet e fundit, ndjekjet penale të krimeve të luftës në Kosovë kanë rënë ndjeshëm dhe akuzat për krime lufte janë përdorur vetëm për qëllime politike nga të dyja anët, me politikanët që përdorin gjuhë nxitëse për të thelluar edhe më tej ndarjet mes grupeve etnike, ndërkohë që shumë pak të pandehur kanë dalë në bankën e të akuzuarve.

Fshehje pas kufijve

Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga policia franceze. Foto: Jean-Francois Badias/BETA.

Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga policia franceze. Foto: Jean-Francois Badias/BETA.

Misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, i cili merrej me ndjekjen penale të krimeve të luftës, e përfundoi mandatin e tij vitin e kaluar dhe ia kaloi krimet e luftës zyrës së prokurorit të vendit.

Megjithatë, BE-ja nuk arriti të negocionte një marrëveshje krimesh lufte midis Kosovës dhe Serbisë e cila do të lejojë prokurorët e dy vendeve të bashkëpunojnë mes tensioneve të vazhdueshme politike midis qeverive në Prishtinë dhe Beograd.

Meqë nuk ka marrëveshje zyrtare midis dy prokurorëve, prokurorët e krimeve të luftës të Prishtinës mund të merren vetëm me viktimat dhe autorët e krimeve nga Kosova  dhe prokurorët e Beogradit mund të merren vetëm me njerëz në Serbi, gjë e cila limiton në mënyrë të konsiderueshme mundësinë e nisjes se çështjeve të reja dhe më të mëdha.

Në shumicën e çështjeve të mëdha, autorët e krimeve janë në një vend dhe viktimat në vendin tjetër.

Serbia refuzon gjithashtu të japë prova dhe të bashkëpunojë në shumicën e rasteve, edhe kur kërkesat nga Kosova lehtësohen nga misioni i sundimit të ligjit të BE-së.

Si rezultat i kësaj, prokuroria i Kosovës është e dënuar të trajtojë vetëm çështje të vogla, duke u përqendruar vetëm tek autorët e krimeve që janë në territorin e saj. Për shembull, vitin e kaluar, prokuroria në Prishtinë nisi një çështje kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë të bërë politikan, Fatmir Limaj, për mos parandalimin e vrasjes së dy civilëve shqiptarë të Kosovës në tetor 1998.

Megjithatë, duke marrë në shqyrtim një figurë të njohur si Limaj, prokuroria e Kosovës ka sfiduar paragjykimet e komunitetit ndërkombëtar se ajo nuk është e aftë të merret me autorë të nivelit të lartë dhe çështje të ndjeshme.

Ndërhyrja politike në shumë çështje ishte ndër arsyet kryesore që Perëndimi vazhdoi të përfshihej në sistemin gjyqësor të Kosovës për një kohë kaq të gjatë – fillimisht me misionin e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, dhe më vonë me EULEX-in.

Në vitin 2008, kur UNMIK i dorëzoi EULEX-it autoritetin e tij për hetimet e krimeve të luftës, kishte ende 1,187 incidente që kishin lidhje me konfliktin në Kosovë dhe që ishin identifikuar si krime lufte, por nuk ishin ndjekur penalisht dhe 50 çështje të tjera që ishin referuar për një aktakuzë.

EULEX i përmirësoi paksa të dhënat e misionit të UNMIK-ut. Sipas të dhënave që BIRN siguroi nga EULEX, misioni i BE-së arriti të hetonte dhe ndiqte penalisht rreth 250 çështje, por vetëm disa prej tyre arritën në fazën e gjyqit.

Çështjet më të mëdha përfshijnë dy gjyqe të nivelit të lartë – një i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të njohur si “Grupi Drenica” dhe e dyta ajo e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç dhe bashkëpunëtorëve të tij. EULEX arriti të siguronte dënime në të dyja çështjet në fazën fillestare të gjykimit, edhe pse ato tashmë kanë kaluar në apel.

‘Nuk kishte drejtësi’

momir-stojanovic

Urdhër arrresti i Interpolit i Momir Stojanoviç.

Viktimat megjithatë janë shumë të zhgënjyer me këto shifra. Sipas Nysrete Kumanovës, e cila humbi bashkëshortin e saj gjatë luftës së viteve 1990 gjatë një ofensive naga ana e Serbisë, e cila tashmë drejton shoqatën e viktimave “Thirrjet e nënave”, ka ende shumë më tepër punë për të bërë.

“Nuk ka pasur drejtësi. Një shembull është qyteti i Gjakovës – qyteti nga vij unë- nuk ka pasur asnjë padi për personat e zhdukur. Kemi ngritur zërin për këtë, por sistemi gjyqësor nuk ka punuar siç duhet për këtë çështje,” tha Kumanova për BIRN.

Kumanova pretendon se organizata e saj mblodhi dëshmitë e të afërmve të personave që u zhdukën gjatë konfliktit, por vetëm disa prej këtyre deklaratave janë përdorur nga autoritetet.

“Duke qenë se ne kemi të dhëna, mjaftueshëm informacione dhe e dimë se kush i mori njerëzit tanë të dashur, sistemi gjyqësor duhet të përpiqet të marrë më shumë dëshmi nga të afërmit për të ngritur akuza për këto krime. Dhe nuk duhet t’i lërë kriminelët të hyjnë në Kosovë sa herë që duan. Ata e bëjnë këtë sepse askush nuk po ngre akuza kundër tyre,” argumentoi ajo.

Prokuroria e Kosovës u përpoq të ndiqte penalisht disa raste që kanë të bëjnë me krimet e luftës të kryera në Gjakovë, kur forcat serbe pothuajse e rrafshuan qytetin, dëbuan popullsinë etnike shqiptare dhe vranë me qindra civilë.

Në vitin 2015, prokurorët nga Kosova akuzuan 17 luftëtarë serbë, përfshirë ish-deputetin serb dhe oficerin e sigurisë Momir Stojanoviç, për krime të kryera në prill të vitit 1999  kur rreth 300 shqiptarë u qëlluan në fshatin Mejë në zonën e Gjakovës.

Pavarësisht faktit se u lëshuan urdhra arresti nga Interpoli, duke qenë se besohej se shumica e të arratisurve jetonin në Serbi, autoritetet e Beogradit zgjodhën t’i injoronin ato.

Në të njëjtën kohë, Beogradi ka dhjetëra vetë me dhjetëra urdhra arresti në Interpol, kryesisht për luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat i mban sekret nga publiku.

Ata bëhen të ditur vetëm kur një nga personat e kërkuar arrestohet kur kalon një kufi europian, njësoj si në rastin kur Ramush Haradinaj u arrestua në aeroportin Basel Mulhouse Freiburg në Francë javën e kaluar.

Duke qenë se ligji serb thotë se vendi ka juridiksion universal mbi të gjitha krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi, prokuroria serbe është përpjekur t’i bindë vendet të ndalojnë dhe ekstradojnë komandantë guerilas nga Kosovës të dyshuar për krime të tilla.

Shumica e këtyre kërkesave janë refuzuar pasi gjykatat europiane kanë vendosur se urdhër arrestimet e lëshuara nga Serbia janë politike dhe se të dyshuarit nuk do të kishin gjykime të drejta në Beograd. Avokatët e Haradinajt besojnë se gjykata franceze do të marrë një vendim të ngjashëm të enjten e kësaj jave dhe do ta lirojë politikanin e ndaluar.

Por edhe pse shpesh përpiqet të ndjekë penalisht komandantë nga vende të tjera, prokuroria e Beogradit deri më tani nuk ka paditur ndonjë zyrtar të lart serb për krime lufte, sipas Milica Kostiç, drejtoresha e departamentit ligjor në OJQ Qendra për të Drejtën Humanitare.

“Në gjyqe për krime në Kosovë ka një tendencë të qartë për të mos ndjekur penalisht zyrtarë të lartë dhe të shmanget çfarëdolloj përgjegjësie shtetërore për krimet e kryera në Kosovë dhe në të njëjtën kohë, për të mbrojtur shtetin,” tha Kostiç për BIRN.

Kostiç shtoi se prokuroria serbe nuk ka paditur asnjë për krime lufte në Kosovë gjatë tri viteve të fundit.

“Aktualisht, sistemi ynë i drejtësisë nuk po shqetësohet aspak për krimet në Kosovë,” tha ajo.

Një ndjesi tradhtie

Dokumentet e luftës gjithashtu i janë refuzuar zyrës së prokurorisë së krimeve të luftës në Serbi. Foto: BETA.

Dokumentet e luftës gjithashtu i janë refuzuar zyrës së prokurorisë së krimeve të luftës në Serbi. Foto: BETA.

Që prej themelimit të saj në vitin 2003, zyra e prokurorisë serbe për krimet e luftës ka nisur tetë çështje që kanë lidhje me Kosovën, dy prej të cilave janë ende në fazë gjykimi – njëra për vrasjet në fshatrat rreth Pejës dhe tjetra për vrasje në fshatin Tërrnje.

Të dyja çështjet janë vonuar disa herë gjatë viteve të fundit – viktimat shpesh janë detyruar të bëjnë nga 300 kilometra rrugë për të dëshmuar, vetëm për të mësuar se seancat ishin shtyrë dhe disa prej tyre refuzuan të paraqiteshin përsëri në gjykatë për rigjykime, duke thënë se ndiheshin të tradhtuar nga gjykatat serbe.

Mosbesimi mes viktimave dhe gjykatave u rrit më shumë në vitin 2015, kur gjykatat serbe nuk i lejuan avokatët që vinin nga Kosova të përfaqësonin viktimat pasi ata nuk ishin pjesë e Shoqatës së Avokatëve të Serbisë. Ndalimi erdhi pasi EULEX nuk i lejoi avokatët serbë të përfaqësonin të pandehurit në Kosovë.

Mungesa e bashkëpunimit zyrtar midis Beogradit dhe Prishtinës ka pasur një efekt katastrofik në ndjekjet penale të krimeve të luftës, sipas Kostiç.

“Mungesa e bashkëpunimit, në rastin më të mirë, po rezulton në një vonesë serioze në hetime, madje në disa çaste po i bllokon ato. Prokuroria serbe e krimeve të luftës nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me sistemin gjyqësor të Kosovës, prej faktit se Republika e Serbisë nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, dhe për këtë arsye, ajo nuk i njeh institucionet e saj,” shpjegoi Kostiç.

“Për këtë arsye, Serbia po mbledh prova vetëm nëpërmjet EULEX-it,” shtoi ajo.

Serbia ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim me EULEX-in, por Kostiç beson se kjo nuk është e mjaftueshme pasi EULEX-i nuk merret më me hetimet në Kosovë.

Me vendet e tjera në rajon – duke përjashtuar Kosovën – prokuroria serbe ka nënshkruar marrëveshje të cilat mundësojnë shkëmbimin e provave, gjë e cila ka sjell një rritje të ndjeshme në çështjet që janë transferuar nga Kroacia dhe Bosnja.

Ish-kreu i EULEX-it, Gabriele Meucci, tha për BIRN në qershor të vitit të kaluar se prokurorët nga Serbia dhe Kosova ishin takuar për të diskutuar bashkëpunimin dhe për këtë u hartua drafti i një marrëveshje, i cili ai tha se do të përfaqësonte “një hap të madh përpara”.

Për shkak të faktit se Serbia ka një vit pa një kryeprokuror krimesh lufte, pritet megjithatë që kjo çështje të mos zgjidhet së shpejti. I vetmi forum në të cilin Beogradi dhe Prishtina po diskutojnë ndonjë model bashkëpunimi është gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel, por deri më tani çështja e krimeve të luftës ose ajo e personave të zhdukur nuk ka qenë në rendin e ditës.

Kryetarja e shoqatës serbe të viktimave të luftës nga Kosova, Gordana Djikanoviç, tha se familjet e viktimave bashkëpunuan mirë me shoqatat e viktimave shqiptare dhe institucionet gjyqësore në Serbi dhe Kosovë, por se rezultati ka qenë zhgënjyes.

“Askush nuk është dënuar siç duhet për krimet e kryera kundër serbëve dhe joshqiptarëve. Ka pasur disa raste, por dënimi ose ishte simbolik ose njerëzit u liruan nga akuzat,” tha për BIRN Djikanoviç.

“Ne kemi bashkëpunuar me EULEX-in, UNMIK-un dhe familjet e viktimave nga Kosova dhe arritëm t’i çonim gjërat në një rrugë pa krye ku u zhvillua një ndjekje penale, por ky është një numër shumë i vogël në krahasim me shkallën e krimeve,” shtoi ajo.

Gjykatë e re, shpresa të reja

Gjykata e re do të sistemohet në ish-ndërtesën e Europolit në Hagë. Foto: Wikimedia Commons/DennisHH.

Gjykata e re do të sistemohet në ish-ndërtesën e Europolit në Hagë. Foto: Wikimedia Commons/DennisHH.

Me Kosovën që po drejton çështjet ndaj ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke qenë se ata ato janë në dispozicion vetëm të institucioneve gjyqësore të Prishtinës, dhe Serbinë që shënjestron vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së kur ata kalojnë kufijtë europianë, të dy vendet po marrin përsipër llojin e çështjeve që parashikohet se do të trajtohen nga Dhomat e reja Speciale dhe Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë.

Dhomat, të cilat do të fillojnë punë këtë vit, përbëhen nga prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë, por punojnë sipas ligjit të Kosovës.

Mandati i tyre është të ndjekin penalisht ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për vrasje, tortura dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut në Kosovë mes viteve 1998 dhe 2000 kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve që besohet se ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit dhe kundërshtarë të lidershipit të UÇK-së.

Dhomat u ngritën nga BE-ja, u mbështetën nga SHBA-ja, pasi besohej se gjyqësori i Kosovës nuk ishte në gjendje të trajtonte çështje të profilit të lartë e aq më pak të mbronte dëshmitarë.

Gjykata, njësoj si ndjekje të tjera penale krimesh lufte që janë zhvilluar në gjykata vendase dhe ndërkombëtare në çështje në Kosovë, ndau komunitetet – një grup e shikon atë si mundësinë e fundit për të vënë drejtësi, tjetri si një institucion të njëanshëm që synon të lërë shenjë në luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave serbe.

“Pritshmëritë tona për Gjykatën e re Speciale janë të mëdha. Në një farë mënyre jemi skeptikë, por nuk na mbetet gjë tjetër veçse të besojmë se diçka do të ndryshojë. Ka prova, ka dëshmitarë, por edhe ata po vdesin pasi kanë kaluar 18 apo 19 vite që nga kryerja e krimeve masive dhe ka gjithnjë e më pak njerëz që janë dëshmitarë okularë,” tha Djikanoviç.

Në Kosovë, gjykata pritet të shkaktojë trazira serioze në skenën politike, pasi shumë figura kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë poste të larta dhe kanë ndikim të madh në shumë fusha, përfshirë në qeveri dhe biznese.

Ajo që e nxit më tej zemërimin në Kosovë është fakti se BE-ja, faktori kryesor në administrimin e ish-provincës serbe, po e lejon Beogradin t’ia hedh paq me rezultatet e tij të dobëta në ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Për shumë vëzhgues, BE-ja e shkëmbeu gatishmërinë e Serbisë për t’u ulur në një tryezë me Kosovën me një ulje të presionit ndaj Serbisë në fusha të tilla siç janë krimet e luftës.

Shkëlzen Gashi, një shkrimtar nga Kosova, sugjeroi që të dyja palët të kthehen në fillim dhe “të verifikojnë pretendimet për të gjitha krimet që ndodhën nga janari 1998 deri në dhjetor të vitit 2000″.

“Ky do të ishte një fillim. Pastaj duhet të ketë një proces gjyqësor të drejtuar nga prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë për të dyja palët,” tha Gashi për BIRN.

“Dhe të dyja palët duhet të bëjnë gjithçka për të rikthyer të zhdukurit – Serbia të gjejë rreth 1,300 shqiptarë të zhdukur dhe Kosova të gjejë 400 serbë,” tha ai.

Realpolitika sugjeron megjithatë  se kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë dhe mungesa e bashkëpunimit midis Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojë të lërë shumë nga të afërmit e personave që janë vrarë ose zhdukur si rezultat i luftës në Kosovë të presin – ndoshta më kot- për drejtësi.

Për këtë artikull kontribuuan Die Morina, Milivoje Pantovic dhe Rron Gjinovci.  BIRN

SHKARKO APP