Kosovë, policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës, 10 të arrestuar

 

10 protestues janë arrestuar nga policia e Kosovës mbrëmjen e 23 tetorit kur policia ndërhyri për të shpërndarë mbështetësit e opozitës të cilët ishin vendosur para dyerve qendrore të Kuvendit të Kosovës që nga orët e pasditës së 23 tetorit. Policia ndërhyri për t’i shpërndarë në mesnatë duke përdorur gazin lotsjellës. Policia thotë se disa protestues kanë qenë të dhunshëm dhe si pasojë është lënduar një zyrtar policor, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore, informon policia e Kosovës. “Janë arrestuar dhjetë protestues të dhunshëm, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore” informon policia në një njoftim për shtyp. Policia e Kosovës ka arritur ta vërë situatën nën kontrolle dhe sot ajo konsiderohet të jetë e qetë dhe stabile. Mbrëmë pas mesnate seanca është zhvilluar në një ambient tjetër të objektit të Kuvendit, ku, pa praninë e deputetëve të opozitës, që kishin mbetur në sallën e mbledhjeve, ka shqyrtuar e miratuar projektligje e vendime sipas rendit të ditës.

SHKARKO APP