Kosovë-Serbi, ambasadori amerikan: Nuk ka marrëveshje gjithëpërfshirëse pa kompromisin e të dyja palëve
Ambasadori i SHBA në Prishtinë Philip Kosnett, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të lëvizin përpara, ndërsa shtoi se duhet një qasje e re ndaj çështjeve që duan hapa të guximshëm.
Duke mos dashur të hyjë në detaje të procesit politik në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, diplomati amerikan thekseon se, është e pamundur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa u bërë kompromise nga të gjitha palët.
Shtetet e Bashkuara, sipas tij, sa i përket Kosovës dhe Serbisë po përpiqen të fokusohen në gjëra të arritshme në vend se në procese, rregulla dhe protokolle.
Kosnett tha se qëllimi i Washingtonit është që të inkurajojë një proces, i cili do të përfundojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas tij, përpjekjet për të zgjidhur problemet politike janë zvarritur për vite të tëra, pa u bërë përparim i madh. Andaj, tha ai, SHBA-ja vendosi që të fokusohej në çështjet ekonomike mes dy vendeve.
Duke folur për marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, ambasadori Kosnett tha se është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që t’iu përmbahen zotimeve të dhëna në Washington.
Intervista e plotë: https://www.evropaelire.org/a/philip-kosnett-marreveshja-kosove-serbi-/30850343.html