Kosovë-Serbi, ndërtohen pikë-kalime të përhershme kufitare

Nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, është mbajtur takimi i radhës i Bordit Drejtues të Projektit të IBM për ndërtimin e pikë-kalimeve të përhershme kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrës në takim ishin anëtarët e Bordit Drejtues të përbërë nga grupi shtetëror i punës për marrëveshjen e IBM-së dhe përfaqësuesit e BE-së/ Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe UNOPS si partner zbatues i kontraktuar nga BE-ja.

Qëllimi i këtij takimi ka qenë finalizimi dhe provimi i projekteve për pikëkalimet kufitare në Merdare, Bërnjak dhe Mutivodë, për të cilat sipas Marrëveshjes së Brukselit për IBM dhe Protokollit Teknik, shteti i Kosovës është palë mikpritëse. Ndërsa për tre pikëkalimet e tjera kufitare, pala serbe është palë mikpritëse e projekteve ndërtuese.

Në këtë takim, ministrja Tahiri ka folur për rëndësinë e ndërtimit të pikëkalimeve të përhershme kufitare sipas modelit evropian të IBM duke vlerësuar se ky proces po zhvillohet sipas dinamikave të dakorduara në Bordin Drejtues të Projektit. Ajo më tej tha se zbatimi cilësor dhe efikas i kësaj marrëveshje është i një rëndësie të madhe shtetërore për qeverinë dhe qytetarët e Kosovës. Tahiri ka falënderuar BE-në për mbështetjen financiare dhe UNOPS-in për profesionalizmin e tyre dhe ka deklaruar se ndërtimi i këtyre pikëkalimeve të përhershme të IBM-së do të fuqizojë sovranitetin e shtetit të Kosovës, përmbushë standardet evropiane për menaxhimin e integruar të kufirit, do të lehtësojë kalimin e kufirit për qytetarët dhe bizneset si dhe do të luftohen dukuritë e ekonomisë joformale.

Nga ana e tij Drejtori i Projektit nga UNOPS, Brendan Keirnan, duke e falënderuar ministren Tahiri për bashkëpunimin tha se këto pikëkalime do të jenë ndër më modernet që janë ndërtuar ndonjëherë, ato do të përfshijnë ambiente shumë komode dhe profesionale për zyrtarët që do të punojnë aty.

Libor Chlad, zëvendës-shef për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë, tha se BE është e kënaqur me progresin për zbatimin e këtij projekti dhe premtoi angazhimin e BE-së në zbatimin e plotë të saj.

SHKARKO APP