Kosovë-Shqipëri, 1 vit nga mbledhja e parë historike e dy qeverive në Prizren
Para një viti, në 11 janarin e 2014-ës, u mbajt në qytetin e Prizrenit mbledhja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e vlerësuar historike, e para pas më shumë se 100 vjetëve të shtetit të parë e pas 6 vjetëve të shtetit të dytë të shqiptarëve.
“Modestisht mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, qeverinë e Shqipërisë dhe qeverisë e Kosovës, është një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësirë evropiane të tejkufijve”, theksonte në mbledhje Kryeministri Edi Rama.
“Është e vërtetë se ne jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, sepse shumica dërrmuese e qytetarëve tanë i takojnë një kombi që megjithë diferencat e brendshme, kanë një gjuhë, një kulture dhe një traditë të përbashkët”, shtonte ai.
“Por, nëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive, një kombi të shtrirë në dy shtete, bëhet arsye trembjeje, apo nga ana tjetër inkurajimi, për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua ta them kryekreje, kthjellët dhe fort, se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton, qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre, pa të cilët Kosova e lirë dhe pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, SHBA-se dhe BE-së”, shprehej, mes tjerash, Kryeministri Rama.
Kryeministri i atëherëshëm i Kosovës, Hashim Thaçi theksonte se “qëllimi i këtij takimi mes dy qeverive, dhe i atyre të ardhshme, ka për të qenë pikërisht përshpejtimi apo përmirësimi i zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme dhe njëherazi zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit bilateral nëpërmjet hartimit të marrëveshjeve të reja”.
“Adoptimi i praktikës së mbledhjeve të përbashkëta nga dy qeveritë, nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë është relativisht e vonuar, duke patur parasysh se sa shumë herë janë organizuar këto mbledhje të përbashkëta qeveritare në rajon. Për këtë arsye lindë nevoja që mbledhjet ardhshme të përbashkëta duhet të jenë edhe më të ngjeshura e të ngarkuara me punë, për të kompensuar kohën e humbur dhe për të kapur ritmin e vendeve të tjera të rajonit”, shprehej Thaçi.
Ai deklarointe gjithashtu se “nëpërmjet mbledhjes zotohemi jo vetëm që të bëjmë çmos për përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të shteteve respektive, por edhe që të marrim përsipër përgjegjësinë historike për t’u kujdesur për bashkombasit që gjenden pakicë në rajon si dhe për të forcuar lidhjet me mbarë diasporën”.
Pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në 11 janar 2014, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.
Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do takohen sërish në muajin mars 2015, në një mbledhje tjetër, të dytë, pas të parës historike të para një viti në qytetin e Prizrenit, është paralajmëruar në deklaratat e bëra në Prishtinë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, duke e uruar në Prishtinë Vitin e Ri 2015, e ka paralajmëruar si, “një vit që jam shpresëplotë se do ta hapim, më në fund, me mbledhjen e kthimit të të dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për të parë se ku jemi me dosjet e bashkimit të rrugëve tona drejt të ardhmes dhe për të punuar me shumë më tepër vetëdije dhe cilësi, në mënyrë që ky moment i madh të mos na iki pa i marrë maksimumin”.
Kreu i qeverisë së Shqipërisë ka folur në forumin e organizuar në 26 dhjetor nga Lëvizja Fol, me temën shqiptarët dhe Ballkani, në kryeqytetin kosovar.