Kosovë: Zgjedhjet lokale në konteksin e ndërlikuar politik

Fotografi: Bekim Shehu/DW
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Zgjedhje lokale mbahen në 38 komuna të Kosovës. Pas një bojkotimi që prej tre vjetësh votime për pushtetin lokal zhvillohen edhe në veri të Kosovës, banuar me shumicë nga komuniteti serb.

Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës (12.10.2025) qytetarët eKosovës iu janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e kuvendeve komunale. Votimet po zhvillohen në 38 komuna të Kosovës, përfshirë edhe katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri. Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha, se procesi i votimit po zvillohet normalisht në të gjithë teritorin e Kosovës. Sipas KQZ-së, në zgjedhjet lokale të drejtë vote kanë dy milionë e 69 mijë qytetarë brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues tashmë janë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit. Në këtë garë për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për mandatet në kuvendet komunale. Në zgjedhje marrin pjesë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Presidentja Osmani bën thirrje për pjesëmarrje të gjerë në votime
Presidenjta e Kosovës Vjosa Osmani, tha se “këto zgjedhje janë një mundësi për qytetarët që të japin vlerësimin e tyre për qeverisjen lokale. Presidentja bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Është ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore aq më e fortë do jetë demokracia jonë. Shpresoj që ky do jetë proces me rezultat në të mirën tonë. Është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do të udhëhiqen komunat e tyre”, tha presidentrja Osmani.

Swiss Digital Mobile Reklama

Procesi i votimit po zhvillohet normalisht edhe në veri të Kosovës. Katër komunat me shumicë serbe në këtë pjesë Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, për gati tre vjet udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi në nëntor të vitit 2022 të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si reagim ndaj një vendimi të autoriteteve kosovare për t’i hequr nga qarkullimi targat serbe të makinave. Në këto zgjedhje lokale garojnë, përveçListës Serbe, edhe katër parti të tjera serbe, si dhe disa iniciativa qytetare. Ish-kryeministri i Serbisë dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, deklaroi të dielën, se pret pjesëmarrje të lartë të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke vlerësuar se “ky veprim nuk është thjesht votim për ndonjë opsion politik, por çështje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.

Nga ana tjetër Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë përmes, siç thotë ajo, “influencës politike dhe presioneve ndaj qytetarëve serbë që të votojnë për Listën Serbe”, parti politike kjo që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

KQZ: Rezultatet brenda 48 orëve
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit zhvillohen në një kontekst të ndërlikuar politik, pasi vendi gjendet ende në pritje të formimit të qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti.Fushata për zgjedhjet lokale, megjithatë, u ndikua edhe nga tensionet politike në nivel qendror dhe nga rivalitetet e partive kryesore politike, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat garojnë në përpjekje për të konsoliduar ndikimin e tyre në pushtetin lokal. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar edhe kësaj radhe nga institucionet që të sigurojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e standardeve demokratike. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë bazë e demokracisë dhe përfaqësimit qytetar. Presim që të gjithë pjesëmarrësit të garojnë me përgjegjësi dhe që procesi të zhvillohet në mënyrë të paanshme”, thuhet në një deklaratë të zyrës së BE-së në Kosovë. Për zgjedhjet lokale që po mbahen, Prokuroria e Shtetit tha, se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në një njoftim nga Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës bëhet e ditur se “prokurorët janë në zyrat e prokurorive ose stacionet policore, duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të parandaluar çdo parregullsi”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se tashmë në të gjithë teritorin e Kosovës procesi i votimit po zhvillohet normalisht dhe nuk është shnëuar ndonjë incident. Janë hapur gjithsej 938 qendra votimi dhe 2 625 vendvotime. Për votuesit jashtë vendit është mundësuar votimi me postë, një proces që ka nisur që nga data 17 shtator dhe që ka përfunduar një ditë më parë. Rrjeti i organizatave joqeveritare që monitorojnë proceset zgjedhore “Demokracia në Veprim” dhe KDI tashmë kanë mobilizuar qindra vëzhgues. “Zgjedhjet lokale janë po aq të rëndësishme sa ato parlamentare, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Transparenca në këtë proces është vendimtare”, thuhet në një deklaratë të KDI-së. Zyrtarë të KQZ-së, ndërkaq, kanë paralajmëruar se rezultatet e zgjedhjeve do të publikohen brenda 48 orëve pas mbylljes së procesit të votimit, ndërsa në komunat, ku asnjë kandidat për kryetar nuk fiton me mbi 50 për qind të votave, do të organizohet raundi i dytë i balotazhit më 9 nëntor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?