Kreu i PDK-së: Protagonizmi personal Kurti-Rama po dëmton raportin Shqipëri-Kosovë
Kryetari i Partisë Demokratike Kosovare, Memli Krasniqi shpreh shqetësim për dëmtimin e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri, teksa pjesën më të madhe të përgjegjësisë ia la Albin Kurtit. “Unë mendoj se raporti ynë me Shqipërinë është i dëmtuar pikërisht nga qasja që kryeministri i Kosovës ka pasur edhe në raport me liderët institucional në Shqipëri”, deklaroi Krasniqi për ”Euronews Albania”.
Sipas tij kontribut negativ ka dhënë dhe pjesëmarrja e Kurtit në fushatën zgjedhore të Shqipërisë, në përkrahje të kandidatëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet e 25 prillit.
”Protagonizmi personal, tendenca për të treguar se cili është më i rëndësishëm se tjetri, i ka dëmtuar marrëdhëniet e mira. Besoj që Kosova gjithmonë duhet ta shohë Shqipërinë, si një mbështetëse të saj sepse ka qenë historikisht dhe tradicionalisht. Shqipëria është anëtare e NATO-s, është një shtet i rëndësishëm jo vetëm në nivelin e marrëdhënieve jo vetëm rajonale”.
Krasniqi mori si shembull marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri gjatë drejtimit të vendit nga Hashim Thaçi, ku tha se ai kishte funksionuar në raportin me Shqipërinë mirë edhe me ish-kryeministrin Berisha edhe me kryeministrin Rama.