Kreu i Vetëvendosjes: Rama s’mund të jetë mik me Vuçiç, ai i ka duart me gjak

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i ftuar në emisionin Tonight Ilva Tare, ka folur mbi situatën e fundit në Kosovë përsa i përket marrëveshjes për Bashkësinë e komunave serbe. Ai ka komentuar edhe mbi reagimin e palës shqiptare mbi këtë çështje. Sipas Ymerit, qeveria shqiptare duhet të kishte të kishte qenë më aktive dhe më vigjilente për të mbrojtur interesat e shqiptarëve në këtë marrëveshje. Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare nuk janë të bashkërenduara për këto çështje që prekin interesat e kombit. Visar Ymeri ka thënë se qeveria shqiptare nga ana e saj duhet të kishte një deklarim publik nëmënyrë që të ravijëzonte rrezikun që kanosej nga Zajednica.  Përsa i përket marrëdhënieve me Serbinë, ato duhet të jenë të mira por me kusht që Serbia të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës. Sipas kryetarit të Vetëvendosjes, Rama nuk mund të jetë mik me Vuçiç pasi ky i fundit i ka duart e lara me gjak.

Si e keni parë reagimin e qeverisë shqiptare për marrëveshjen?

Deri tani nuk kam dëgjuar një reagim të qeverisë shqiptare në raport me marrëveshjen përveç një paraqitje të Ministrit të Punëve të Jashtme në komisionin e punëve të jashtme në të cilën ai thoshte që marrëveshja i heq barrierat e Kosovës për integrim në BE, ndërkohë që unë mendoj pikërisht që marrëveshja paraqet një barrierë shtesë. Natyrisht që qeveria në Tiranë do të duhet të ishte njëkohësisht shumë më shumë e informuar nga qeveria në Prishtinë për atë se çfarë po bëjnë në Bruksel, gjë të cilën kam përshtypjen nuk e bëjnë si duhet, pra nuk informohen e as bashkërendohen me të.

Mendoni që nuk është e informuar apo ky është qëndrimi i qeverisë shqiptare?

Mendoj që nuk janë as konsultuar dhe as informuar si duhet nga qeveria në Prishtinë. Pra qeveria në Prishtinë, Kryeministri shumë më shpesh takon Vuçiç-in sesa takon Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Ndërkohë që po ashtu mendoj se Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në këtë rast do të duhej të ishte shumë më i vendosur dhe shumë më aktiv në mënyrë që këtë fuqizim të Serbisë në rajon, fuqizim që po i ndodh Serbisë edhe përmes kësaj marrëveshje të fundit, që të bëhet bashkë me Kosovën që ta luftojë këtë fuqizim sepse unë mendoj që asnjë shqiptari nuk do t’i leverdiste një Serbi e fuqishme. Jo se shqiptarët do të duhet të kishin diçka kundër fuqizimit të Serbisë por se Serbia e fuqishme do të nënkuptonte luftë më të fuqishme kundër interesave të shqiptarëve

Cfarë qëndrimi do të  preferonit ju si lideri i VV nga qeveria shqiptare, për këtë çështje, për këtë marrëveshje?

Qeveria shqiptare duhet të jetë vigjilente dhe aktive në mënyrë që ta kuptojë këtë marrëveshje ashtu si ajo është.

Pra jeni ende ne menimin që nuk e ka kuptuar?

Unë po them që nuk ka pasur deklarime publike.

A duhet të kishte patur një qëndrim publik?

Mendoj që po, mendoj se duhet të kishte pasur një qëndrim publik i cili do të kërkonte ose do ta ravijëzonte këtë rrezik të mundshëm që i vjen Kosovës nga Zajednica, sepse kur flasim për Kosovën duhet të kemi parasysh që po flasim për një pjesë të kombit shqiptar dhe natyrisht që qeveritë shqiptare nuk mund të jenë indiferente karshi asaj se çfarë po i ndodh me shqiptarëve në anën tjetër të kufirit. Pra ashtu sikundër të them se insitucionet e Kosovës duhet të kishin një qëndrim për marrëveshjen që u bë për ujërat me Greqinë që rezultoi që ishte shumë e dëmshme dhe fatmirësisht e papranueshme për institucionet shqiptare, të njëjtën gjë duhet të kishte edhe qeveria e Shqipërisë për këto marrëveshje në mënyrë që interesat tona t’i mbrojmë bashkë.

Si e shpjegoni mosreagimin e Tiranës zyrtare në këtë rast, edhe pas zhvillimeve në Parlamentin e Kosovës?

Nuk pretendoj se i njoh shumë zhvillimet politike në Tiranë. Kam përcjellë kohët e fundit që ka patur këtu një numër të madh të çështjeve që janë diskutuar karshi asaj çka ndodhi në Kuvendin këtu dhe gjithë këtë diskutim për reformën në gjyqësor, mirëpo mendoj prapë që në njërën anë karshi Kosovës ekziston një maturi në deklarime duke patur parasysh që njihet si fakt që në Kosovë qeveris një qeveri e zgjedhur nga votat e qytetarëve dhe rrjedhimisht do të duhet të ishte një qeveri e përgjegjshme karshi interesave të Republikës, karshi interesave të këtyre qytetarëve. Mendoj që ka një keqkuptim se shpesh herë qeveritë në Prishtinë nuk janë të përgjegjshme karshi këtyre interesave dhe në kësi rrethanash, mendoj që do të duhet të kishte një reagim. Të mos harrojmë që ka patur një reagim të madh të krerëve politikë në Prishtinë, veçanërisht të Hashim Thaçit por edhe të të tjerëve, të cilët janë ankuar tek ambasadat e huaja për atë që ata e quanin ndërhyrje të Tiranës zyrtare në çështjet politike të Kosovës. Mendoj që kur kemi të bëjmë me çështje kaq të rëndësishme, siç është kjo përballje e Kosovës me Serbinë, natyrisht që Tirana zyrtare do të duhet të ishte shumë më aktive në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, të cilat po cënohen drejtpërsëdrejti nga Zajednica.

Si i keni parë takimet por edhe deklarimet e Kryeministrit Rama në lidhje me raportin që duhet të ketë Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi me serbët dhe Serbinë? Raport prej fqinji të mirë që shihin drejt integrimit të BE duke parë urat e bashkëpunimit. Ndeshja e fundit në Tiranë me Serbinë, studentët që erdhën dhe komunikimi që pati Kryministri me ta?

Mendos së pari që çfarëdo marrëdhënie që ka Republika e Shqipërisë me Serbinë, nuk do të duhej të ishte marrëdhënie si me një shtet normal, sepse Republika e Serbisë nuk është shtet normal. Republika e Serbisë konsideron që i ka kufijtë deri në Prizren kur për Shqipërinë që e ka njohur Kosovën, kufijtë e Serbisë nuk mund të jenë në Prizren sepse kufijtë e Kosovës janë në Prizren. Qëndrimi refuzues i Beogradit karshi Kosovës po i shkakton dëme të mëdha Republikës së Kosovës dhe si e tillë, qeveria e Shqipërisë nga kushdo që udhëhiqet, nuk mund ta konsiderojë Serbinë si njërin prej vendeve të rajonit meqënëse nuk sillet si e tillë.

A duhet parë drejt së ardhmes me një dialog të hapur, me një komunikim, me një bashkëpunim drejt integrimit europian?

Drejt së ardhmes nuk mund të shohim duke mohuar dhe harruar të kaluarën. Kjo do të jetë një ardhme që nuk do të jetë as e mirë për ne dhe as e sigurtë për ne. Natyrisht duhet të shohim drejt së ardhmes por pikërisht për të parë drejt të ardhmes duhet t’i kthehemi të kaluarës që të shohim se kur flasim, me kë po flasim dhe kush janë ata që sot po na paraqiten si demokratë e deri dje i kanë patur duart e lara me gjak. Aleksandër Vuçiç që është aktualisht Kryeministër i Serbisë në Kuvendin e Serbisë gjatë viteve ’90, ka thënë që:- ‘Për secilin serb të vrarë në Bosnje, ne do të vrasim 100 mysliman’. Një Kryeministër i tillë nuk mendoj që duhet të jetë një mik i një Kryeministri shqiptar. Pra marrëdhënie të mira me Serbinë po, mirëpo Serbia duhet të ndryshojë dhe ndryshimi i Serbisë nënkupton edhe dhe veçanërisht ndryshim të mendësisë politike në Beograd që fatkeqësisht nuk po ndryshon.

SHKARKO APP