Kriza politike për votimin e Presidentit, dëmton rëndë edhe ekonominë
Nëse Parlamenti i Kosovës dështon që deri më 5 maj në zgjedhjen e Presidentit të ri, atëherë vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme dhe për ekspertët kjo do të ishte një shkatërrim ekonomik, që ashtu si pjesa tjetër e botës, edhe Kosova po përballet me pandeminë nga Covid-19.
”Në këtë aspekt mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve, shikuar edhe në aspektin historik, në vendin tonë gjithmonë ka ndikuar edhe në normën e përgjithshme të rritjes ekonomike, edhe tek tërheqja e investimeve të huaja direkte, por edhe tek të hyrat e mbledhura për buxhetin e vendit. Në një situatë hipotetike kur ne do të kishim zgjedhje më të shpeshta brenda një intervali të shkurtër kohor, besoj që ndikimi në ekonomi do të ishte shkatërrues, aq më tepër nëse kombinohet sërish me ndikimin që ka pandemia Covis-19, e që ka pasur gjatë vitit 2020”, thotë Arian Zeka, drejtor i “Odës Ekonomike Amerikane”.
Nga ana tjetër, sipas tij ndërrimi i shpeshtë i qeverive ndikon negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj si dhe në realizimin e investimeve strategjike. ”Për shkak të ndërrimit dhe të një jostabiliteti të vazhdueshëm politik dhe ndërrimit të shpeshta të qeverive, nuk kanë arritur asnjëra prej tyre që të realizojnë ndonjë projekt të madh strategjik nëpërmjet këtij legjislacioni apo edhe vet implementimit të programeve ekonomike. Kështu që edhe në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj, ata në rend të parë e shohin një vend shumë jostabilnë aspektin politik dhe ndërrimet e shpeshta të qeverive japin për të besuar se ky vend nuk është serioz dhe nuk mund të ketë një konsistencë të implementimit dhe realizimit të ideve të ndryshme ekonomike”.