Kriza politike, Thaçi nga Haga: Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga Haga bën thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë. Në një intervistë të realizuar me shkrim, dhënë në RTV Dukagjini, të fundit para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, pyetjet (për situatën aktuale politike në Kosovë) i janë dërguar Thaçit më 9 mars 2026, ndërsa përgjigjet e tij janë finalizuar më 29 korrik, në orën 11:55.
Në kohën kur janë dërguar pyetjet drejt Hagës, në mars të këtij viti, Kosova ndodhej në një ngërç institucional, me krizën politike të lidhur edhe me zgjedhjen e presidentit dhe me vështirësitë për funksionalizimin e institucioneve.
Thaçi ka kërkuar që partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, të ulen në një tryezë dhe të arrijnë pajtim për disa çështje strategjike. Ai përmend si prioritete sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.
“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.
Kjo është intervista e fundit e Thaçit para shpalljes së aktgjykimit, ndërsa më 16 shtator, në orën 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.
KOHA JONË SONDAZH

