Kryeministri Hoti për VOA-n: Shumë shpejt hiqen pengesat për rifillimin e bisedimeve me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se qeveria e tij synon që të heqë shumë shpejt të gjitha pengesat për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, kryeministri Hoti shpreh besimin për një rifillim të shpejtë bisedimesh që do të drejtohen prej tij dhe në të cilat thotë ai, nuk do të diskutohet për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh, por vetëm për njohje të ndërsjellë.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër ju morët detyrën në një kohë kur pritet të rifillojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa jeni i gatshëm të merrni një përgjegjësi të tillë?

Avdullah Hoti: Unë besoj se procesi është bukur mirë i kornizuar sa u përket edhe pritjeve tona si shoqëri dhe si shtet, por edhe procedurave dhe parimeve që duhet të ndiqen në procesin e dialogut. E para, ne hyjmë në këtë proces për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë, që duhet të rezultojë me njohjen përfundimtare, sepse ka disa vite që po dialogojmë për tema që janë më teknike ndoshta, për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, për qarkullim të lirë e të tjera në segmente të ndryshme. Ndërkaq, tash duhet të ulemi për të përmbyllur komplet marrëveshjen, e cila domosdo, sepse vetëm kështu ka kuptim, duhet të çojë në njohjen reciproke në mes të dy vendeve. E dyta, sa u takon parimeve që duhet t’u përmbahemi, unë mendoj se është mjaftë e qartë, kemi pozicion të qartë si koalicion qeverisës se në çfarë formati hyjmë në këtë dialog, i cili format në masë të madhe është përcaktuar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar me ligjin për dialogun, ku qartësohen saktë kompetencat e institucioneve, bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës sa i përket procesit të dialogut.

Zëri i Amerikës: Si mendoni të shkoni në bisedime, do të shkoni ju bashkë me presidentin apo do të formoni një ekip me partitë e koalicionit qeverisës që jeni bashkë?

Avdullah Hoti: Prandaj po them është e qartë në këtë drejtim sepse dialogun e udhëheq qeveria, kreu i qeverisë është kryeministri, kështu që mua në bazë të Kushtetutës më bie kjo barrë e udhëheqjes së këtij procesi. Atë që do të bëj unë është që të zbatoj një qasje jo konfrontuese me institucionet tjera, por një qasje koordinuese për t’i përfshirë të gjithë në këtë proces. Por sigurisht, barra do të bie mbi qeverinë, mbi këtë koalicion qeverisës. Por, përtej kësaj, do të zgjasim dorën edhe tek opozita, për të parë se si ata mund të përfshihen në këtë proces. Të gjitha partitë parlamentare duhet të jenë të përfshira në këtë proces, por vetëm mbi baza të mekanizmave kushtetues dhe parlamentar që i jep të drejtë të gjithëve edhe opozitës që të përfshihen në këtë proces. Kuvendi në këtë aspekt do të ketë rol kyç, përmes mekanizmave ekzistues parlamentar, komisioneve të ndryshme parlamentare, ose duke krijuar mekanizma të ri parlamentar ku prapë opozita e ka fjalën kryesore për të mbikëqyrur procesin. Ajo për të cilën unë siguroj opozitën dhe qytetarët është që procesi do të udhëhiqet vetëm mbi baza kushtetuese dhe me një transparencë të plotë gjatë këtij procesi, sepse ky nuk është proces që i takon vetëm një koalicioni qeverisës, por gjithë spektrit politik dhe gjithë qytetarëve të vendit. Prandaj jemi duke menduar mekanizma të ndryshëm kushtetues, jo mekanizma jo institucional por kushtetues, që të gjitha palët të jenë të përfshira në proces dhe të arrijmë një marrëveshje e cila mund të ratifikohet në parlamentin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por, zoti kryeministër deri më tani ftesat për bisedime i janë dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaci. Nëse ndodh prapë e njëjta gjë si do të veproni ju?

Avdullah Hoti: Presidenti i ka kompetencat e veta kushtetuese dhe ai do t’i ushtrojë dhe duhet t’i ushtroj kompetencat e veta. Unë i kam kompetencat e mia si kreu i qeverisë, do t’i ushtroj plotësisht pa lejuar që askush të ndërhyjë në to. Nuk duhet dhe nuk do të lejoj që të ndërhyjë dikush në kompetencat e mia si kryeministër i vendit, por në të njëjtën kohë duke qenë llogaridhënës karshi kuvendit të Kosovës si institucion mbikëqyrës i punës së qeverisë.

Zëri i Amerikës: A prisni telashe në raport me presidentin në udhëheqjen e bisedimeve?

Avdullah Hoti: Jo, absolutisht jo. Për aq kohë sa të gjithë i zbatojmë obligimet tona kushtetuese nuk duhet të ketë asnjë problem në këtë drejtim. Ajo që duhet të ndodhë, që ka munguar në të kaluarën, sepse në qeverinë e fundit në veçanti nuk ka pasur vullnet nga kreu i qeverisë që të marrë rolin koordinues mes forcave politike në këtë proces, por më shumë ka pasur një qasje konfrontuese, ndoshta për interesa të tjera politike por tani ajo nuk është e rëndësishme. Qasja jonë është që ne t’i sjellim të gjithë bashkë në tavolinë, dhe unë së shpejti do të filloj një raund të konsultimeve me të gjithë krerët e partive politike parlamentare, për të ju prezantuar atyre qasjen tonë që nuk është e panjohur. Të gjithë qytetarët e dinë qasjen që ne e kemi si koalicion qeverisës, edhe si Lidhje Demokratike edhe tash si koalicion qeverisës. Tash është pozicion i qeverisë së Kosovës karshi këtij procesi të dialogut, pra një tryezë e diskutimeve, konsultimeve me liderë të partive politike për t’ju prezantuar se si ne e shohim këtë proces dhe për t’u kërkuar atyre që të jenë të përfshirë gjatë gjithë kohës në këtë proces. Unë do t’i mbajë vazhdimisht të informuar dhe të përfshirë gjatë gjithë kohës jo vetëm kur të arrihet marrëveshja por gjatë tërë procesit, në mënyrë që një herë e përgjithmonë të mbyllet marrëveshja me Serbinë, sepse unë besoj që është interes jetik për paqen dhe stabilitetin për gjithë rajonin.

Zëri i Amerikës: Para se të rifillojnë këto bisedime duhet të hiqen masat që janë vendosur nga qeveria e Kosovës, siç është reciprociteti për mallrat që vijnë nga Serbia. Ju jeni zotuar se do ta bëni një gjë të tillë, kur mendoni ta bëni atë?

Avdullah Hoti: Ne jemi zotuar se do t’i heqim të gjitha pengesat që lidhen me procesin e dialogut. Në ditët e ardhshme do t’i marrim vendimet e nevojshme që këto pengesa të hiqen, t’i japim frymë dialogut, t’i japim mundësi dialogut sepse kështu i kemi dakordimet me partnerët tanë ndërkombëtar që t’i japim mundësi dialogut. Nëse eventualisht dialogu nuk është i suksesshëm, ne sigurisht e ruajmë të drejtën tonë si shtet, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi që të vendosim të gjitha masat reciproke karshi Serbisë edhe vendeve tjera nëse një gjë e tillë shihet e nevojshme. Por, ajo që është e rëndësishme te këto masa, është që ato mund të kenë sukses vetëm nëse vendosen në dakordim me partnerët tanë ndërkombëtar. Kemi parë historikun ta zëmë të taksës 100 për qind, ose të masave tash të fundit për reciprocitet dhe nëse nuk kemi përkrahjen e miqve tanë për vendosjen e këtyre masave, ato nuk prodhojnë efektet e dëshiruara për shtetin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A do të kërkoni diçka nga Serbia në mënyrë që t’i largoni këto masa?

Avdullah Hoti: Unë pres që të dy vendet të heqin të gjitha pengesat për dialog.

Zëri i Amerikës: Cilat janë këto pengesa që Serbia i bën Kosovës?

Avdullah Hoti: Nga ana e Serbisë para së gjithash është ndalimi i kampanjës në arenën ndërkombëtare për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës. Kjo para së gjithash dhe disa veprime të tjera që duhet t’i bëjnë autoritetet e Serbisë.

Zëri i Amerikës: Në ditën kur u zgjodhët kryeministër, në parlament jeni shprehur kundër shkëmbimit të territoreve apo ndryshimit të kufijve, por në anën tjetër Serbia kërkon diçka nga Kosova në mënyrë që të arrihet një marrëveshje. Si e shihni ju këtë?

Avdullah Hoti: Mendoj se pozicioni jonë është shumë i qartë. Me këtë qeveri dhe me mua si kryeministër nuk ka marrëveshje me shkëmbim të territoreve, besoj që nuk është pozicion i sodit por i mirënjohur i LDK-së, i këtij koalicioni dhe partnerëve të këtij koalicioni qeverisës, që ne dëshirojmë të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në bazë të Kushtetutës së vendit duke e ruajtur plotësisht dhe pa diskutuar fare tërësinë territoriale dhe integritetin territorial të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, lëvizja Vetëvendosje ju quan juve kryeministër i presidentit Thaçi dhe se qeveria juaj është zgjedhur për të zbatuar çfarëdo marrëveshje që do të sjellë ai. Në fakt kush do të negociojë në Kosovë?

Avdullah Hoti: Për Kosovën do të negociojë unë, si kreu i qeverisë në koordinim me të gjitha forcat tjera politike, por barrën e barti unë. Unë nuk dëshiroj të komentojë tash deklarimet politike të opozitës, është e drejtë e tyre, unë do t’u qasem edhe atyre që të bëhen pjesë e këtij procesi.

Zëri i Amerikës: A ndjeheni në borxh me presidentin i cili siguroi votën vendimtare për zgjedhjen tuaj?

Avdullah Hoti: Unë ndjehem borxh ndaj deputetëve që kanë votuar këtë koalicion, kam përgjegjësi para tyre, jo vetëm para tyre por para të gjithë deputetëve si përfaqësues të popullit të Kosovës dhe ndjehem përgjegjës para çdo qytetari të vendit.

Zëri i Amerikës: Tashmë janë dy të dërguar të posaçëm për bisedime ndërmjet Kosovës e Serbisë, ambasadori amerikan Richard Grenell dhe diplomati sllovak Miroslav Lajçak. Nuk duket të ketë ndonjë bashkërendim tash për tash ndërmjet tyre për procesin e bisedimeve. A po flasim për dy procese negociatash?

Avdullah Hoti: Unë kam pasur kontaktet e para, kam pasur një komunikim me zotin Lajçak, më ka uruar për detyrën dhe i kam shprehur gatishmërinë tonë si qeveri që jemi të hapur për dialog brenda këtyre parimeve që i diskutuam më herët. Edhe ai i ka të qarta parimet negociuese nga pozicioni jonë si qeveri e re e Republikës së Kosovës dhe pres të angazhohemi sa më parë në një proces të dialogut sepse ky është interes jetik i vendit.

Zëri i Amerikës: A do të merrni pjesë në bisedime që do të zhvillohen nga zoti Lajçak duke e ditur se presidenti tashmë ka thënë se nuk do të marr pjesë në bisedime të tilla?

Avdullah Hoti: Shikoni, zoti Borrell dhe zoti Lajçak përfaqësojnë Bashkimin Evropian dhe ne e dimë që roli i BE-së dhe roli i SHBA-ve janë jetik por janë edhe të pandashëm në këtë proces. Ne nuk i përzgjedhim të dërguarit në proces të dialogut, të emëruarit në proces të dialogut, i zgjedhin institucionet e Bashkimit Evropian dhe ne duhet të ruajmë respektin për ta dhe duhet të jemi të gatshëm që të ulemi në tavolinë për të mbrojtur interesat e shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Pra, ju do të merrni pjesë në bisedime kushdo që ju thërret, qoftë ambasadori Grenell qoftë diplomati Lajçak?

Avdullah Hoti: Ne do të insistojmë dhe kjo është qasja jonë që të dy palët edhe BE-ja edhe SHBA-të të jenë të përfshira plotësisht në këtë proces sepse besojmë se marrëveshja mund të arrihet vetëm me përfshirjen e dy palëve. Por ajo që është edhe më e rëndësishme, duhet të marrim garanci edhe nga BE-ja edhe nga SHBA-të që marrëveshja do të zbatohet, sepse kemi një përvojë jo të mirë në këtë drejtim. Janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në Bruksel e plot prej atyre marrëveshjeve nuk janë realizuar sepse Serbia duket që nuk ka pasur presionin e nevojshëm në këtë drejtim. Tani jemi në fazën finale, që të përmbyllet një çështje e hapur në mes të dy vendeve edhe unë pres me padurim që të angazhohemi në këtë proces, ta përmbyllim dhe ajo që është e rëndësishme të heqim atë dozën e pasigurisë për politikën e gjithë regjionit dhe pastaj të hyjmë proceseve shumë shpejt euro-integruese.

Zëri i Amerikës: Kur prisni takimet e para dhe a prisni marrëveshje të shpejtë?

Avdullah Hoti: Takimet e para mund të ndodhin shumë shpejt sapo të lirohen masat për lëvizje, qarkullim, për udhëtim. Nuk e di kur mund të arrihet marrëveshja, nuk mund të jap asnjë datë për atë, krejt varet nga dinamika e negociatave.

Zëri i Amerikës: Kur do të hiqen masat ndaj Serbisë? A pritet deri më 21 qershor kur do të mbahen zgjedhjet në Serbi?

Avdullah Hoti: Masat që pengojnë procesin e dialogut nga ana e Kosovës do të hiqen shumë shpejt. Unë pres që në bazë të zotimeve që kemi marr nga partnerët tanë ndërkombëtar që edhe Serbia të heq të gjitha pengesat për këtë proces dhe të ulemi në tavolinë të dialogut.

Zëri i Amerikës: Brenda këtij muaji?

Avdullah Hoti: Besoj që shumë shpejt, shumë shpejt.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër ju e rrëzuat një qeveri e cila edhe sipas një pjese të diplomatëve perëndimor vuri standarde në qeverisje dhe luftë kundër korrupsionit. Sa jeni të gatshëm të vazhdoni t’u përmbaheni këtyre standardeve?

Avdullah Hoti: Ne sot në qeveri miratojmë programin tonë qeverisës të dakorduar me partnerët e koalicionit dhe përveç pjesës për menaxhimin e pandemisë me disa masa që janë të elaboruara në detaje nga profesionistë shëndetësore dhe plane për rimëkëmbje ekonomike, është pjesa tjetër e forcimit të rendit dhe ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Dhe në këtë fushë, tek forcimi i shtetit ligjor, ju për një periudhë të arsyeshme kohore do të shihni veprime konkrete dhe jo retorikë.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, sa ishit në qeverinë paraprake keni shkaktuar borde të ndryshme të ndërmarrjeve publike. Do të vazhdoni të njëjtën?

Avdullah Hoti: Nuk jemi këtu për të shkarkuar njerëz, jemi për të krijuar vende të punës, por duhet t’i përfillim procedurat ligjore dhe nëse është e nevojshme të shkarkohen njerëz nga pozicionet që kanë, vetëm në përputhje me ligjin.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër ju kanë kritikuar për shkarkimin e qeverisë në kohën e pandemisë. Ju vjen keq për një gjë të tillë?

Avdullah Hoti: Tash unë besoj që këto janë më shumë retorikë, retorikë politike e opozitës e partisë që tash është në opozitë. Ne kemi qenë mjaft të sinqertë në atë koalicion, por ish partneri ynë i koalicionit nuk e ka respektuar marrëveshjen që kemi pasur si partner të koalicionit dhe sigurisht për LDK-në kanë qenë të papranueshme ato veprime dhe ka ardhur tek situata të cilën e kemi parë. Tash kemi një qeveri të re me mandat të plotë kushtetues për të çuar përpara dhe mbrojtur interesat e vendit.

Zëri i Amerikës: A prisni telashe në funksionimin e qeverisë tuaj duke ditur që tashmë keni një opozitë të themi me shumicë shqiptare në parlament?

Avdullah Hoti: Jo absolutisht. Për aq kohë sa funksionon ky koalicion unë nuk shoh asnjë problem dhe nuk shoh asnjë arsye që ne mund të ngecim në funksionim të këtij koalicioni. Unë kam qenë personalisht i përfshirë në një muaj e sa kohë në negociata për arritjen e koalicionit. Me këtë koalicion që kemi, me tri parti shqiptare dhe të gjitha partitë e komuniteteve jo shumicë edhe në dakordimin e përgjegjësive që kemi brenda koalicionit qeverisës por edhe te program qeverisës dhe reformat kryesore që do të ndodhin, nuk e shoh asnjë problem që ne ta çojmë mandatin deri në fund. Ne nuk jemi qeveri as tranzitore, as e përkohshme, jemi qeveri me mandat të plotë kushtetues për të udhëhequr vendin në proceset më të rëndësishme dhe për të përmbyllur disa procese që kanë filluar tash e tridhjetë vjet./VOA

SHKARKO APP