Kryeministri që u mundua t’i shërbejë vendit brenda një sistemi të kalbur nga krimi e korrupsioni

Nga Enver Robelli

Kur vdes një figurë që ka ushtruar funksione të larta shtetërore, pa marrë parasysh nëse ka luajtur rol pozitiv apo negativ, në dynjanë shqiptare, sidomos në mediat sociale, fluturojnë superlativët, fjalët e zgjedhura, lavdërimet (me vend e pavend), hiperbolizimet e mërzitshme, të cilat më së shumti do ta irritonin të vdekurin, nëse do të ishte në gjendje t’i dëgjonte e lexonte bejtet virtuale. Në këso momentesh të dhimbjes rastin e shfrytëzojnë edhe politikanët për të thënë ca fraza të thata. Një paradë hipokritësh zë pusi për të ekspozuar dhembshurinë, shpesh të shtirur.

Nuk ishte ndryshe as pas vdekjes së Bajram Rexhepit, kryeministrit të parë të Kosovës pas luftës. Bajram Rexhepi meriton dhe do të kujtohet si mjek i mirë dhe i përkushtuar, por edhe i guximshëm: ishte ndër doktorët e paktë që dijen e tij e vuri në shërbim të luftës çlirimtare. Ai ishte një qytetar i mirësjellshëm i Mitrovicës, të cilin do ta mbajnë në mend pacientët që i ka trajtuar dhe shëruar, por edhe ushtarët e UÇK-së, të cilët i operoi në kushte të vështira, në mal. Pas luftës u angazhua në politikë, konkretisht në Partinë Demokratike të Kosovës. Për këtë hap ai do të pendohej më vonë, shumë vonë, kur, si kryeministër e ministër i Brendshëm, ankohej se PDK-në «e mori SHIK-u», rrjedhimisht «e mori pusi».

Ndaj gazetarëve (jo ndaj të gjithëve) ai ishte i hapur. Ankohej: «Ma kanë mbushur zyrën me njerëz të paaftë, të SHIK-ut». Ai ishte i vetëdijshëm se në cilën çerdhe politike kishte përfunduar dhe përpiqej që, përkundër rrethanave, t’i shërbente Kosovës. Sistemi ishte i kalbur nga krimi e korrupsioni, por Bajram Rexhepi si mjek e humanist besonte se «shokët e luftës» një ditë do të ngopen. Nuk u ngopën. Dhe Rexhepi – faktikisht – u dëbua nga partia, sepse partinë e morën ustallarët e rinj të nëntokës, të shoqëruar me disa vocërrakë primitivë, të cilët me vetëdije i shërbejnë të keqes.

Në mars të vitit 2015 Bajram Rexhepi humbi durimin dhe hapur, publikisht, në KTV, tha se SHIK-u ka uzurpuar partinë dhe shtetin. Ai e akuzonte një rrjet të SHIK-ut, i cili kontrollon të gjitha institucionet. Këta, thoshte doktor Rexhepi, kanë ndikim në ujësjellës dhe në RTK – e kësisoj ai tregonte se murtaja shikiste ka kapluar e zaptuar Kosovën dhe një ditë, nëse nuk ndalet, do ta shkatërrojë atë, duke e bërë pavarësinë të pakuptimtë dhe territorin e Kosovës vetëm një torishtë për pazare mes Beogradit dhe Tiranës.

Në intervistën e përmendur Rexhepi pati deklaruar se e keqja më e madhe që i ka ndodhur PDK-së është katapultimi në krye të saj i Kadri Veselit. «Kadri Veselin ndoshta e pranon elektorati, por unë si shef nuk e pranoj dhe shkoj në shtëpi». Fjalë profetike. Veselin nuk e pranoi elektorati, përkundër përpjekjeve jargavitëse të disa qelbësirave zhurnalistike të RTK-së për ta prezantuar para opinionit si një shpëtimtar. U munduan edhe të shkretat portale të Kadri Veselit, por dështuan.

Intervista e Rexhepit në KTV ishte një shfrim i vonshëm. Dhe për këtë do të mbahet në mend Bajram Rexhepi. Ishte i sinqertë, së paku më i sinqertë se dallaveraxhinjtë politikë të kafehaneve të Prishtinës, nuk ishte mbajtës fjalimesh qesharake «për shefin dhe veprat e tij», siç e praktikon prej vitesh doktori i historisë Enver Hoxhaj. Kur fliste Bajram Rexhepi njerëzit dëgjonin, kur flet Hoxhaj publikut i kujtohen kongreset e Partisë Komuniste të Kinës dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë së Mehmet Shehut.

Bajram Rexhepi nuk kishte arsye të gjunjëzohej. Ai ishte një shqiptar i Kosovës me një biografi mbresëlënëse nga epoka e Jugosllavisë. I diplomuar në Universitetin e Prishtinës në fushën e mjekësisë, i specializuar në Zagreb, në Rebro, ndër qendrat më të mira mjekësore të Jugosllavisë së Titos, ai ishte i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të shqiptarëve pas demonstratave të vitit 1981. Rexhepi nuk ishte indiferent ndaj politikës. Kur regjimi serb ia hoqi autonominë Kosovës, ai – si qindra-mijëra shqiptarë – u rreshtua në lëvizjen për pavarësi – së pari në LDK, pastaj, kur Ibrahim Rugova zgjodhi vendnumërimin dhe vetëposhtërimin, doktor Rexhepi shkoi në mal, te ata që kishin rrokur armët për të çliruar vendin.

Pas luftës administroi, si kryetar, Mitrovicën jugore. Anën tjetër, atë veriore, e drejtonte i dyshuari për krime të luftës, Oliver Ivanoviqi. Diplomatët perëndimorë filluan t’i shohin të dytë si politikanë me ardhmëri. Ishte një parashikim absurd, sepse s’mund të krahasohej doktor Rexhepi i shkollës së Zagrebit me një «barabë» të komunitetit serb të Mitrovicës.

Bajram Rexhepi linte përshtypjen e një politikani që synon të mirën, por kur vinte puna të angazhohej për ndryshime, për konfrontim frontal me të keqen, ai zgjidhte ose heshtjen, ose tërheqjen. Kur ishte kryetar i Mitrovicës në atë qytet depërtuan organizatat kriminale islamiste – dhe Rexhepi nuk qe i zëshëm sa duhet. Kur ishte shef i komunës ai e dinte se «patriotët» shqiptarë bënin biznes ilegal me krerët e krimit të organizuar në veri – të prirë nga Zvonko Veselinoviqi. A ka qenë apo jo i informuar mbi aferën korruptive të pasaportave biometrike ndërsa ishte ministër i Brendshëm – kjo është e pamundur të dihet. Por, një qëndrim më rigoroz ndaj këtij krimi Bajram Rexhepit do t’i bënte nder.

Të shkuara, të (pa)harruara. Sot e kujtojmë si një politikan që përgjigjej në çdo thirrje dhe sms, që ishte aq jokonvencional, saqë të thoshte: «Hajde, bre, po takohemi në Pejton, te kafet». Ishte vapë gushti kur e takova. «Nuk e di a ishte ide e mirë e imja të takohemi këtu. Gusht, vapë e madhe dhe mileti gati është zhveshur», tha ai me humor. Asgjë s’na shpërqendroi. Intervista eci mirë. I lumtur u largova për në Zagreb. Një qytet që Bajram Rexhepit ia kujtonte rininë, lehtësinë, dashurinë për jetën. U prehtë në paqe.

Një fytyrë kaq civile e ka merituar një parti tjetër, jo ajo ku u përpoq të bënte karrierë dhe prej së cilës, faktikisht, u largua thellësisht i zhgënjyer. «Nuk kam karamele për Bajram Rexhepin», tha Kadri Veseli pas kritikave të ish-kryeministrit Rexhepi. Veseli mund të merret qetësisht me intrigat e tij politike. Karamelet e tij nuk i deshi Bajram Rexhepi dhe nuk po i do as populli i Kosovës. Fjalimet që do të mbahen para varrit të Bajram Rexhepit do të jenë disa bejte cinikësh, të cilët ky vend nuk do t’i ruajë në kujtesë për të mirë. Për dallim nga Bajram Rexhepi. Atë do ta mbajmë në mend edhe si politikan elokuent, i cili reagoi me qetësi kur ajo plaka e Reçakut i përshëndeti përzemërsisht shokët e partisë së Rexhepit.

Dialogplus.ch

SHKARKO APP