Kryeparlamentari i Kosovës: Rama nuk duhej të niste projekt për Asociacionin pa folur me Kurtin
Të enjten kryeministri shqiptar Edi Rama tha se i ka dorëzuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një projekt statut të asociacionit. Ai tha se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës.
Nisma e kryeministrit Rama për Asociacionin u prit me qëndrime të ndara në Prishtinë, ndërsa kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca e cilësoi veprim i njëanshëm.
“Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes, do të thotë një difekt në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ul me kryeministrin e Kosovës dhe pa i sqaruar të gjithë këto probleme”, tha zoti Konjufca.
Kryeministri Kurti i cili të mërkurën pritet që bashkë me kryeministri Rama të udhëheqë mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, nuk deshi të komentojë nismën.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të premten se “çdo ndihmesë konstruktive në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin është e mirëpritur”, por çështja mund të trajtohet vetëm në kuadër të këtyre bisedimeve.