Ku dallon letra e Joe Biden nga letra e Donald Trump e 14 dhjetorit 2018?

Enver Bytyçi
Dy vjet e gati tri muaj më parë, saktësisht më 14 dhjetor të vitit 2018, presidenti amerikan i kohës, Donald Trump, i dërgoi një letër dy presidentëve, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Më pas Edi Rama foli në telefon me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton, dhe pas telefonatës kryeministri shqiptar doli në foltoren e parlamentit shqiptar e iu mburr me “lajmin fantastik,” se ai kishte folur me Bolton “për zhvillime të rëndësishme në rajon dhe në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë”!
Në letrën e atëhershme të Donald Trump thuhej shprehimisht: “Jemi të gatshëm t’i mbështesim përpjekjet tuaja për një marrëveshje që i balancon si interesat e Kosovës ashtu edhe interesat e Serbisë”.
Ndërsa në letrën e ditës së sotme të presidentit amerikan, Joe Biden, dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thuhet: “Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin europian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithë përfshirësë të normailizimit me Kosovën, të përqëndruar në njohjen reciproke”.
Krahasojini ju lutem të dy këto letra dhe do të gjeni dallimin esencial midis tyre. Trump kërkoi atëherë një marrëveshje të balancuar. Kërkesa për balancim e Donald Trump u bazua nga formula e Vuçiç, sipas të cilit “Ne nuk pranojmë një zgjidhje me të cilën njëra palë i fiton të gjitha dhe pala tjetër humbet gjithçka”!
Kjo formulë rezulton të ishte përpunuar dhe avancuar nga një lob degolistësh në ushtrinë, sigurimin dhe diplomacinë franceze. Drejtori i Qendrës Studimore për Minoritete në Beograd, Dushan Janjiç, e ka zbërthyer këtë skemë të projektit për ndarjen e Kosovës si kompensim për “të balancuar” interesat e Serbisë. Ai thotë se fillimisht ky lob e bindi edhe Emmanuel Macron për ndarjen e Kosovës e ndryshimin e kufijve midis saj dhe Serbisë. Ndaj në verën e vitit 2018 Macron ishte dakord me ndryshimin e kufijve. Por nga fundi i atij viti ndryshoi mendje dhe iu bashkua konceptit të Angela Merkel të mosndryshimit të kufijve.
Biden kërkon tani një marrëveshje për njohje reciproke, pa mundësuar ndonjë lloj balancimi “të interesave të Kosovës dhe atyre të Serbisë”! Ofron si shpërblim për Serbinë anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Ndërsa Donald Trump nuk e përmendte në letrën e tij integrimin europian të Serbisë apo të Kosovës. Sepse ish-presidenti Trump ishte për shpërbërjen e Bashkimit Europian, njësoj si edhe Vladimir Putin në Moskë apo Marie Le Pen në Francë, e cila financohet nga Kremlini.
Një president amerikan, i pari në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, i cili të ishte kundër Unionit, logjikisht nuk mund të ofronte shpërblime për Serbinë në emër të Europës. Prandaj oferta e tij ishte ndryshimi i kufijve e shkëmbimi i territoreve “me mirëkuptimin e plëve”! Por kjo nuk ishte zgjidhja e bazuar në logjikën e zhvillimit të mëparshëm të ngjarjeve në konfliktin e Kosovës. Ishte thjesht zgjidhje sipas një parimi të denoncuar nga Wilson në Konferencën e Paqes në Paris!
Koncepti i Biden është zgjidhja bazuar në të drejtën, ndërsa koncepti i Trump bazohej te balancimi i interesave. Që do të thotë, të interesave serbe dhe aspak interesave të Kosovës! Me nocionin për zgjidhje të Biden njihet e drejta e Kosovës për të patur shtetin e saj, si e drejtë e fituar për shkak të dhunës dhe krimeve serbe në Kosovë. Me “balancën” trumpiane Serbia trajtohej si e barabartë me viktimën dhe rehabilitohej për krimet e saj në Kosovë. Para dy vitesh Mustafa Nano më shtroi pyetjen në emisionin e tij televiziv: “Po nëse amerikanët e mbështesin dhe e realizojnë ndarjen e Kosovës, çfarë do të thoni ju pastaj”? Përgjigja ishte e tillë: “As në këtë rast dhe në asnjë rrethanë tjetër unë nuk bindem dhe nuk do të pajtohem me këtë lloj zgjidhjeje. Amerikanët nuk e realizojnë këtë projekt pa dakordësinë e shqiptarëve”!
Zgjidhjen e ofruar nga Beogradi e duartrokitën Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu, Blendi Fevziu, vetë moderatori Nano, si dhe sa e sa analistë e politikanë shqiptarë në territoret tona ballkanike. E përkrahën dhe ata që rrëzuan qeverinë e Albin Kurtit në Prishtinë. Të gjithë këta u bashkuan në përpjekjet e qeverisë dhe presidentit serb, Vuçiç, për ta bindur administratën Trump dhe presidentin Macron për një zgjidhje të tillë. Madje Rama dhe Thaçi mburreshin me letrën e Donald Trump dhe na bënë presion të madh të pranohej opsioni i ndryshimit të kufijve. Ndërkaq Macronin e ndoqën nga pas në Armeni e në Paris, me qëllim që t’i jepnin garanci se “faktori shqiptar nuk ishte pengesë për ndryshimin e kufijve të Kosovës”!
Tani jemi te letra e Joe Biden. Ajo vjen pak javë pasi u promovua në postin e presidentit të SHBA-ve. Vjen gjithashtu si sinjal i faktit se qëndrimi amerikan ndaj Bashkimit Europian ka ndryshuar. Për pasojë ka ndryshuar edhe formula e zgjidhjes së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Letra është frut i kombinimit të politikave midis administratës së re amerikane dhe qeverisë së zonjës Merkel. Hartat e thikat e lobit të degolistëve në Francë dolën në dritë atëherë kur u bashkuan në mbështetje të tyre Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët mundën ta tërhiqnin në anën e tyre Donald Trump. Por tani duket se në vend të hartave e thikave për Kosovën, Serbisë i ofrohet integrimi në Bashkimin Europian. Dhe kjo është mirë edhe për Kosovën e Shqipërinë.
Për të gjitha arsyet që parashtrova më lart nuk ka pse Abdullah Hoti të bëjë fushatë elektorale me letrën e Biden. Ai u nis me Thaçin në fillim të qershorit 2019 për të shkuar dhe marrë pjesë në firmosjen e marrëveshjes së “balancimit të interesave të Kosovës e të Serbisë”, d.m.th të ndarjes së Kosovës! Nëse nuk do shpallej akt-akuza kundër ish-presidentit, Hoti do konsiderohej sot si njeriu që mbështeti atë. Gjykata Speciale e shpëtoi Kosovën dhe Hotin njëkohësisht.
Nuk mund të përdoret letra e Biden drejtuar Vuçiç si pjesë e politikës së qeverisë Hoti, aq më pak të paraqitet si “dështim” i politikave të qeverisë së para tij, qeverisë Kurti!
Kjo lojë elektorale është e pandershme, është e dëmshme dhe nuk i shton asnjë votues falsifikatorëve! Qytetarët duan njerëz të sinqertë. Ata nuk i duan manipulatorët. Nëse do t’i donin manipulatorët, me origjinalë se Thaçi e Isa Mustafa zor se do të kishte të tjerë pas tyre në Kosovë! Kundërshtarët thon të njëjtën gjë edhe për Vjosën e Albinin! Por këta duhen provuar! Pastaj duhet folur për ta!

SHKARKO APP