Kujt i duhej i vdekur politikani serb? Tre fakte që s’duhen anashkaluar

Vrasja e Oliver Ivanovicit në Mitrovicë është një ngjarje që rrezikon të sjellë trazira në Kosovë dhe Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj janë ata që dëmtohen më shumë nga kjo gjë.

Që prej ditës së djeshme ekziston një ndjenjë gatishmërie, e cila shkon deri në një ndjenjë faji të presupozuar për atë që ndodhi si tek autoritetet e Kosovës ashtu edhe te politikanët shqiptarë në Shqipëri apo Mal të Zi.

Megjithatë, duke vlerësuar të gjitha sa u tha më sipër si edhe domosdoshmërinë e mbajtjes së raporteve të mira me serbët, ka disa çështje që nuk duhen anashkaluar për çfarë ndodhi.

– Oliver Ivanovic u vra në një territor që nuk kontrollohet nga autoritetet e Kosovës. Pjesa veriore e Mitrovicës është kontrolluar nga autoritete paralele serbe, të cilat janë të gërshetuara me grupe mafioze. Në jo pak raste, këto grupe janë përplasur me njëra-tjetrën për çështje të zotërimit të territorit dhe kontrabandës në zonë, shkruan Albeu.com.

– Oliver Ivanovic ishte një politikan i akuzuar dhe i dënuar për krime ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ka dëshmi të shqiptarëve në Mitrovicë që tregojnë se ai ka marrë pjesë në masakrat ndaj shqiptarëve atje. Gjykata ka dhënë tashmë vendim për çështjen e tij.

– E nëse këtë vrasje do të na duhet ta nxjerrim domosdoshmërisht nga konteksti i një larjeje hesapesh mes grupeve serbe për pushtet apo kontroll territori, duhet parë se kujt i konvenon më shumë dhe kujt më pak kjo vrasje. Shqiptarët janë ata që kjo vrasje i dëmton më së shumti.

Të tria këto pika nuk duhen lënë pas dore kur trajtohet çështja në fjalë që të mos marrë përsipër çështje që kurrë nuk e kemi pasur zakon t’i bëjmë. Shqiptarët shquhen më shumë për eliminim të njeri-tjetrit sesa të të tjerëve në këtë rajon.

/BalkanWeb

SHKARKO APP