Kur humbësi fiton, e fituesi humb!
Kur presidenti amerikan, Bill Clinton, viziton për herë të parë Kosovën më 1999, menjëherë pas luftës, ua dërgon shqiptarëve të Kosovës një mesazh: “Ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen”…
Ishte kjo koha kur shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre, patën mbështetje ndërkombëtare, të fuqive më të mëdha, çfarë madje nuk e kishte asnjë popull tjetër në botë.
Por, klasa politike shqiptare u tregua e etur vetëm për pushtet personal, pa vizion për ta fituar këtë paqe. Ndaj, mbështetja ndërkombëtare çdo herë e më shumë u reduktua.
Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt 2008, por duke u bazuar në Pakon e Ahtisaarit që ia kushtëzonte shtetit të ri shumë gjëra në funksionimin normal, qoftë me mungesën e së drejtës për Referendum, pastaj decentralizimin apo të drejtat e serbëve – të tilla që nuk i ka asnjë minoritet askund në botë.
Kjo ndodhi sepse klasa politike nuk ishte unike dhe nuk kishte dëshmuar kredibilitet – gjatë nëntë viteve të protektoratit ndërkombëtar – për të vënë kushte. Madje, angazhimi më i madh i kryeadministratorëve të misionit të UNMIK-ut, duke filluar nga Bernard Kouchner, ishte t’i bënin bashkë krahët e inatosur politikë të Kosovës, që inatet e ambiciet personale i vunë para interesave të popullit.
Kjo pavarësi u kontestua nga Serbia. Megjithatë, me ndihmën e ndërkombëtare Kosova e fitoi edhe një betejë në Gjykatën Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, më 22 korrik 2010, atëherë kur u dha opinioni këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, sipas së cilës Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Por, çfarë ndodhi pastaj?
Një mit serb thotë se ata e fitojnë çdo luftë, por se humbin në paqe. Ky mit bazohet në gënjeshtrat historike që ata ia mëveshin gjithnjë vetes epitetin e popullit trim, por që gjoja gjithnjë viktimizohet nga interesat e të huajve.
E vërteta e hidhur është se Serbia, pas humbjes në GJND, dëshmoi se edhe kur humb – fiton, e se shqiptarët edhe kur fitojnë – humbin.
Dëshmi për këtë është ballafaqimi i sotëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Në këtë proces Serbia përdori tërë mekanizmat e saj kundër Kosovës, kundër shqiptarëve, në një fushatë që vet zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi si “fushatë raciste”.
E, në ndërkohë do të vazhdojë dialogu në Bruksel, në atë që njihet edhe si proces i normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Shumëkush madje është i prirë, sidomos disa nga shoqëria civile, të thonë se duhet të ndiqet modeli franko-gjerman, i dy popujve që me shekuj ishin në armiqësi e në luftë, por që në fund u pajtuan.
Por, athua pse ndodhi kaq lehtë ky pajtim mes gjermanëve e francezëve? Përgjigja është e thjeshtë: sepse, këta dy popuj, njëkohësisht e donin pajtimin, prandaj edhe pajtimi ndodhi.
E, në rastin e pajtimit serbo-shqiptar, kjo gjë është e pamundur, sepse është pikërisht Serbia ajo që nuk do pajtim e që përdor politikën e njëjtë si në kohën e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviq. Serbia kushtëzon dhe bllokon çdo proces me interes për Kosovën, madje kërcënon me praninë e Ushtrisë ruse në kufijtë e Kosovës. Serbia çdo herë vë kushte, e Kosova përherë lëshon pe!
Ndaj, ku mbetet pajtimi dhe edhe sa beteja do t’i humb Kosova në vitet në vijim?
Lufta e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është dëshmi se ky shtet nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës e ndaj dëshirës së përjetshme të tyre për të qenë superiorë ndaj shqiptarëve. Prandaj, më shumë se nga pritja e zgjidhjeve nga ndërkombëtarët, është koha që ndryshimin politikanët ta nisin nga vetja. Mu për këtë, për të marrë mësim nga dështimet, vlen për fund të citohet pleqnari i njohur nga Drenica, Tahir Berisha, të cilin kur e pyesin fshatarët se kur do ta kenë shqiptarët selametin, ai u thotë: “Atëherë kur dimë sa s’dimë e kur domë sa s’domë”!
Sepse, nuk mund të ketë pajtim me Serbinë, përderisa nuk ka pajtim mes vetë shqiptarëve për të mirën e këtij vendi. Në këto rrethana, me atë çfarë ndodhi me UNESCO-n, kjo është luftë!
"Telegrafi"