Kurti flet për takimin me Vuçiç: Do të mbahet në mes të qershorit, jo asociacion një-etnik

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, do të mbahet nga mesi i qershorit.

“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime. Me programin tonë dhe me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do ta përfaqësojmë Kosovën”, tha Kurti.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Parkun e Biznesit në Prizren. I pyetur nga gazetarët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, tha Kurti.

Me një marrëveshje të vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë formimi i Asociacionit të komumave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës. Vuçiç insistion që Asociacioni të formohet./rel

SHKARKO APP