Kurti: Me Serbinë dëshirojmë marrëveshje për njohje reciproke
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të enjte ka komentuar situatën e krijuar në marrëdhënien me Serbinë dhe mundësinë për arritjen e një marrëveshje finale në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.
Kurti në fjalën e tij ka thënë se dëshiron që të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke.
Duke komentuar emërimin e emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, Kurti tha se emisarët që vijnë nga perëndimi demokratik, gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë.
“Ne dëshirojmë të kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila e definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke në qendër, marrëveshje përveç që është e obligueshme për njohje reciproke. Emisarët që na vijnë nga perëndimi demokratik gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë”, tha Kurti.
Në fillim të këtij muaji Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri britanik, Boris Johnson pati deklaruar se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Londrës zyrtare për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.