Kurti pret Nikollën: Sa më shpejt të mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive
Në vizitën e parë në Kosovë si kryeparlamentare, Lindita Nikolla pati një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti. Gjatë takimit, kryetarja Nikolla e uroi për detyrën dhe pêr suksese në realizimin e vizionit të tij për një të ardhme më të mirë të qytetarëve. Po ashtu Nikolla vuri në dukje se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Ajo shtoi se duhet të shfrytëzohet sinergjia e re dhe të niset me plane konkrete takimesh e agjendash që të ketë rezultate për qytetarët dhe nënvizoi se do të nxisë bashkëpunimin e shkëlqyer vëllazëror midis dy qeverive e institucione homologe të Shqipërisë dhe Kosovës. ”Për të ndërtuar një mekanizëm më efikas për ndjekjen e zbatimin e projekteve e marrëveshjeve mes dy qeverive, në Komisionin Ndërshtetëror që do të ndjekë ecurinë e marrëveshjeve ndërqeveritare do të bëjnë pjesë, përveç ministrave, edhe përfaqësues të komisioneve parlamentare”.
Kurse kryeministri Albin Kurti nënvizoi se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive. Gjatë takimit u diskutuan edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti ritheksoi se vendimi është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.