Kurti prezanton programin, opozita: E pamundur të realizohet!
Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës, ka prezantuar programin me të cilin synon të qeverisë vendin. Kurti tha se ajo e tij, do të jetë një qeveri e zhvillimit ekonomik e punësimit. “Kemi një program që i drejtohet çdo fushë.
Ndryshimin e madh të 6 tetorit po e institucionalizojmë sot. Do të kursejmë paratë publike. Do të jenë 15 ministra para meje e jo 21 sa ishin më herët. Do të kemi rreth 33 zëvendësministra dhe jo mbi 80 sa ishin më herët. Më pak shpenzime në poste e privilegje për të shpenzuar më shumë në projekte”, ka thënë ai.
Kreu I Vetëvendosjes deklaroi se fokusi do të jetë tek drejtësia me qëllimin t`i vihet fre korrupsionit në vend. Kurti premtoi një proces të përgjithshëm vettingu, tha se Shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm e do të hartohet dhe një ligj për konfiskimin e pasurisë së vendosur në mënyra të jashtëligjshme. Ai ndërkohë u shpreh i gatshëm të udhëheqë dialogun me Serbinë, me konsensus të gjerë politik.
Por shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare e shprehën menjëherë kundërshtimin e tyre. Sipas Bedri Hamza, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, një qeveri me një buxhet 3 miliardë eurosh në vit nuk mund të realizojë ato cfarë premton Kurti.
Nga 15 ministri që do të ketë ekzekutivi I tij, Vetëvendosje dhe LDK-ja do të drejtojnë secila nga gjashtë. Tri të tjera u takojnë minoriteteve. Në fjalën e vet gjatë seancës për formimin e qeverisë, Kurti prezantoi dhe kabinetin tij, ku zëvendëskryeministër i pare është Avdullah Hoti, ministria e Jashtme i takon Glauk Konjufcës që vendosi të tërhiqej nga pozicioni I kryetarit të kuvendit, dhe Ministria e Drejtësisë i është besuar Albulena Haxhiut.